Në burgun e Idrizovës të Maqedonisë së Veriut, të drejtën e votës sot patën mundësi ta shfrytëzojnë 817 persona të dënuar si dhe 41 persona në departamentin e hapur në Veles.
Përveç zgjedhjeve presidenciale, disa prej votuesve kishin të drejtë të zgjedhin kryebashkiakun e ardhshëm të Novo Sellës ose të Ohrit.
Edhe administrata e burgjeve dhe këshilli i qendrës së votimit në Idrizovë ishin të kënaqur me rrjedhën e procesit.
“Për momentin votimi rrjedh normalisht. Ju vetë mund ta shihni, në një atmosferë demokratike. Dalja për dallim nga hera e parë është rritur. Interesi i vetë të burgosurve është më i madh. Tani për tani nuk ka kurrfarë probleme”, tha Bobi Mojsovski, drejtor i SHNP Idrizovë.
Votimi vazhdon në mënyrë të duhur. Ka filluar në orën 7 të mëngjesit. Deri më tani nuk ka probleme, gjithçka është në rregull. Pra, shpresojmë se kështu do të vazhdojë”-theksoi Sonja Stojanovska, kryetare e v.v 2536.
Megjithatë, ndërsa mediet ishin të pranishme në burgje, disa të burgosur nuk mundën ta gjejnë veten në listën e votuesve. Sqarimi i autoriteteve të burgut ishte se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të mbylljes së listës së zgjedhësve në kohën kur kanë hyrë dhe dalë të burgosurit.
Një problem të tillë Alsat regjistroi edhe në burgun e Shuto Orizares. Dy persona të burgosur që erdhën për të votuar nuk ishin në listën e zgjedhësve. Nëse ka raste të tilla edhe me të paraburgosurit nuk dihet pasi mediet nuk mund të monitorojnë votimin e tyre.
Sipas listës së zgjedhësve, në vendin e votimit në këtë burg, të drejtë vote kanë gjithsej 204 persona.