Meta organizon në Tiranë Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit

Më 8-9 maj 2019, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, organizon në Tiranë Samitin e radhës së Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit.

Marketing

Ky proces është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga Presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.

“Me ftesën edhe të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në Samitin e Tiranës, do të marrin pjesë tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Sefik Dzaferoviq dhe Zeljko Komsiq, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi, Milo Dukanoviq, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini”, njoftoi sot Presidenca.

Samiti i Liderëve në Tiranë, që përkon dhe me “Ditën e Evropës”, synon të përçojë një mesazh të rëndësishëm politik lidhur me aspiratën e përbashkët të vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Kjo nismë ka shërbyer si forum i rëndësishëm i nivelit më të lartë politik për nxitjen e dialogut, bashkëpunimit, forcimit të sigurisë dhe stabilitetit, dhe mbështetjen e proceseve europiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit.

Një tregues domethënës e jetik për vende tona ka qenë mbështetja e vazhdueshme që drejtues të lartë evropianë dhe amerikanë i kanë dhënë këtij Procesi.

Në mbyllje të Samitit, Liderët e procesit do të miratojnë një dokument me konkluzionet e takimit.