Bartësit e funksioneve publike siç janë deputetët, gjykatësit dhe prokurorët, çdoherë duhet të dënohen më ashpër, sepse janë ata të cilët duhet ta zbatojnë ligjin, deklaroi shefja e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, Vilma Ruskoska, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve para Konferencës për përparimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ajo theksoi se ende qëndron e thëna se e drejta vlen vetëm për popullin e zakonshëm, jo për gjykatës dhe deputetë dhe se në atë drejtim mendon mu për caktimin e masës së paraburgimit, përkatësisht për heqje të imunitetit.
Në pyetjen nëse kryejnë parahetime për funksionarë të pushtetit aktual, Ruskoska u përgjigj në mënyrë pohuese duke mos dashur të zbulojë më tepër hollësi.
“Zhvillojmë parahetime. Bëhet fjalë për lëndë parahetimore dhe në këtë moment nuk do të mundja të them më shumë”, tha Ruskoska.
Shefja e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion nuk deshi ta komentojë ligjin për prokurorinë publike sepse negociatat po vazhdojnë ende.
“Ligjin, përderisa nuk sillet në Kuvend, nuk kam ndërmend ta komentoj, posaçërisht që negociatat që ende po zgjasin dhe nuk e dimë çfarë do të jetë zgjidhja përfundimtare, përkatësisht çfarë teksti ligjor do të dërgohet në Kuvend për votim”, theksoi Ruskoska.