Shefi i UNMIK-ut: Situata në Kosovë është e brishtë

Situata në Kosovë dhe midis Prishtinës dhe Beogradit është e brishtë, tha shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, duke shtuar se angazhimet produktive ndërmjet palëve mungojnë qysh në vjeshtë të vitit 2018.

Marketing

“Udhëheqësit e të gjitha palëve duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe ta drejtojnë situatën larg përshkallëzimit”, tha Tanin në një adresim para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përmes video-lidhjes nga Prishtina.

Tanin përmendi në mënyrë të veçantë operacionin e 28 majit të Policisë së Kosovës – i përqendruar kryesisht në komunat veriore me shumicë serbe – i cili ka pasur në shënjestër të dyshuar për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Tanin tha se gjatë këtij operacioni, dy pjesëtarë të UNMIK-ut në Zubin Potok – një ndërkombëtar dhe një i rekrutuar në nivel lokal – janë arrestuar dhe plagosur në incidente të ndara.

Ai tha se “imunitetet e tyre nga arrestimi dhe paraburgimi” nuk janë respektuar.

“Jam i alarmuar se dy anëtarët e stafit i janë nënshtruar dhunës së tepruar gjatë arrestimit nga policia, me ç’rast u janë shkaktuar plagë që kanë kërkuar hospitalizim. Kjo është një çështje që do të jetë pjesë thelbësore e hetimeve që i kemi iniciuar”, tha Tanin.

Më 28 maj, Policia e Kosovës ka ndaluar 19 zyrtarë policorë, prej të cilëve 11 serbë, katër shqiptarë dhe katër boshnjakë, nën dyshimet për shpërdorim të detyrës, krim të organizuar, kontrabandë dhe marrje dhe dhënie të ryshfetit.

Gjatë këtij operacioni, pjesëtari rus i UNMIK-ut, Mikhail Krasnoshchenkov, dhe një tjetër pjesëtar i këtij misioni janë arrestuar, pasi janë gjendur në afërsi të disa barrikadave, përmes së cilave është tentuar të pengohet Policia e Kosovës, teksa ka qenë duke realizuar aksionin.

Ata më pas janë liruar, ndërsa Krasnoshchenkov është transferuar në Beograd për trajtim mjekësor.

Qeveria e Kosovës po ashtu e ka shpallur person “non-grata” (të padëshirueshëm) Krasnoshchenkovin, ndërsa Tanin tha se doktrina e “persona non-grata” nuk zbatohet te personeli i OKB-së.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Kosova u përfaqësua nga ambasadorja e saj në Uashington, Vlora Çitaku.

Duke u ndalur tek aksioni i Policisë së Kosovës, dy javë më parë, Çitaku tha se ai ka pasur të bëjë me krimin e organizuar në disa komuna të Kosovës dhe se ka pasuar një hetim disamuajsh.

“Policët në Zubin Potok janë përballur me armë dhe barrikada, të vëna nga bandat e armatosura. Policët e Kosovës kanë arrestuar shtatë persona – në mesin e tyre ka qenë edhe zyrtari rus, që ka shfrytëzuar veturën zyrtare me targa të UNMIK-ut për të vënë barrikadë, për të parandaluar Policinë e Kosovës të kryejë detyrën e saj”, tha Çitaku.

Çitaku kërkoi sërish përfundimin e mandatit të UNMIK-ut, duke thënë se nuk ka arsye për vazhdimin e punës së këtij misioni, pasi Kosova është shtet i pavarur dhe i kryen të gjitha detyrat e veta.

Çitaku e akuzoi Beogradin zyrtar për retorikë të luftënxitjes, ndërsa shprehu gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se Serbia është ajo që nuk e dëshiron vazhdimin e procesit.

Ai është ndërprerë qëkur Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Zyrtarët serbë kanë thënë se dialogu nuk do të vazhdojë derisa taksa është në fuqi. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka insistuar se taksa do të mbetet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.

Daçiq: “Prishtina po përgatit sulm në veri të Kosovës”

Serbia, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, u përfaqësua nga ministri i saj i Jashtëm, Ivica Daçiq, i cili tha se autoritetet në Prishtinë po përgatisin “sulm në veri të Kosovës” dhe i bëri thirrje OKB-së që ta shqyrtojë seriozisht paralajmërimin e tij.

“Dua që të gjithë këtu të jeni në dijeni për këtë dhe ta ndaloni makinerinë e luftës në Prishtinë përpara se të shkaktojë gjakderdhje të re”, tha Daçiq.

Sipas tij, operacioni i Policisë së Kosovës në veri, më 28 maj, ka pasur për qëllim “të frikësojë popullsinë e mbetur serbe”.
“Nëse një akt i tillë i papranueshëm kalon pa u dënuar gjerësisht, duke përfshirë edhe dënimin e këtij organi të lartë, ai do ta përmbushë qëllimin e tij të vërtetë, që është kërcënimi dhe shtypja e popullatës serbe në ‘Kosovë dhe Metohi’”, tha Daçiq.

“Operacioni i Policisë së Kosovës – legjitim”

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB tha se prioritet i Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë ulja e tensioneve dhe kthimi te dialogu.

Jonathan Cohen tha se Serbia duhet t’i ndalojë provokimet, ndërsa Kosova të heqë taksën.

“Pavarësia e Kosovës është realitet”, tha Cohen.

Ai dhe homologët e tij nga Britania dhe Gjermania, në mesin e të tjerëve, thanë se operacioni i Policisë së Kosovës më 28 maj ka qenë legjitim.

Përfaqësusi i Rusisë në OKB tha se Policia e Kosovës “e pushtoi veriun” me pretekst të luftimit të krimit të organizuar, ndërsa deklaratat e autoriteteve në Kosovë rreth Krasnoshchenkovit i cilësoi si të palogjikshme.