Haradinaj: Mund të mos mbahet takimi i Parisit, por jo për faj të Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj la të hapur mundësinë e mos mbajtjes së takimit të Parisit të paraparë me 1 korrik, por tha se kjo nuk do të ndodhë për shkak të Kosovës.

Marketing

“Mundet mos me u mbajt takimi në Paris, mundet të shtyhet, por jo për fajin e Kosovës. Shteti ynë është treguar serioz, i ka kryer punët e shtëpisë dhe ka avancuar pozicionin për plot tema dhe është e gatshme”.

“Nëse Serbia nuk dëshiron dialog ne nuk mund ta sjellim me zor as në Paris dhe as dikur tjetër. Kushtëzimi që të hiqet taksa dhe të vazhdohet dialogu nuk është i drejtë dhe nuk mund të ndodhë. Ne prej fillimit e kemi lënë derën qelë për të hequr taksën për një marrëveshje kornizë ku janë elementet e njohjes reciproke dhe tregtia e lirë”.

“Të gjithë janë bindur që Kosova nuk mund të kushtëzohet, Kosova nuk është më e kushtëzueshme”.

“Ne nuk jemi nikoqir të Parisit dhe nuk garantojmë asgjë për të. Unë mbaj përgjegjësi për pozicionin e Kosovës, por nuk e kam thirr unë këtë takim. Presidenti Macron nëse e vlerëson e thirr nëse jo, nuk e thirr”.

Haradinaj në Info Magazine u zotua se nuk do të bëjë asnjë kompromis për hatër të ndonjë samiti, nëse do të dëmtohet interesi i vendit.

“Për mua nuk është një samit, por është qëllim final i vendit tim për të cilin janë vra mijëra njerëz, është rezultat final dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Nuk është asnjë proces, as samit as ndonjë lider i botës. Nuk po e bëjmë për këtë, por është interes i vendit tim që të kryhet njohja reciproke me Serbinë”.

“Unë nuk do të shkoj në asnjë ngjarje sa për atë ngjarje nëse nuk i shërbej interesit të vendit tim. Nëse Serbia s’është e gatshme çka po me vyen Parisi apo një samit tjetër. Ne nuk bëjmë kompromise për vendin tonë për hatër të ndonjë samiti të Parisit në dëm të interesit tonë”.