Instituti i Ekologjisë dhe Teknologjisë i UT-së e thellon bashkëpunimin me institute të njohura nga Evropa

Në Institutin e Ekologjisë dhe Teknologjisë të Universitetit të Tetovës, prej 10-13 qershor 2019, qëndroi për vizitë pune Prof. Dr. Bernard Dietrich nga Muzeu i Shkencave Natyrore në Paris, i shoqëruar edhe nga znj. Anne – Marie Dietrich, znj. Michelle Lemonier -Darsemon dhe z. Christian Darsemon.

Marketing

Gjatë vizitës së tyre në Institutin e Ekologjisë dhe Teknologjisë të UT-së, ata u pritën nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Me këtë rast Prof. Dr. Bernard Dietrich për këtë institut e dhuroi një mikroskop së bashku me pajisje dhe mjete të tjera përcjellëse që shërbejnë për izolimin e sekuencave të ADN-së nga lloje të ndryshme të insekteve. Me këtë donacion laboratori i Institutit të Ekologjisë dhe Teknologjisë furnizohet me pajisje moderne për hulumtime bashkëkohore në fushën e inxhinierisë gjenetike.

Njëherit, Prof. Dr. Bernard Detrich e shprehu gatishmërinë për trajnimin e stafit të ri për të punuar në fushën për të cilën ai është i specializuar. Ndërsa znj. Michelle Lemonier – Darsemon dhe z. Christian Darsemon ia dhuruan bibliotekës sonë, Enciklopedinë e çmueshme të shkencave natyrore me 21-vëllime, si dhe libra të rëndësishëm profesionalë dhe 40 kopje të revistave të njohura shkencore me përmbajtje bashkëkohore nga fusha e shkencave të natyrës.

Gjatë kësaj periudhe kohore, përveç profesorëve nga Muzeu i Shkencave Natyrore të Parisit, në Insitutin e Ekologjisë dhe Teknologjisë të Universitetit të Tetovës ka qëndruar për vizitë pune edhe drejtori i përgjithshëm i Institutit Global për Ujë, Ambient dhe Shëndet nga Gjeneva, Prof. Dr. Nidal Salim. Ky i fundit, gjatë qëndrimit në Universitetin e Tetovës u prit në takim nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen mes dy instituteve me qëllim të realizimit të disa projekteve të përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti shprehu falënderimin e tij për të gjithë profesorët për mbështetjen që i japin këtij instituti, duke shpresuar se në të ardhmen do të realizohen të gjitha planet për përgatitjen e projekteve të Institutit për Ekologji dhe Teknologji, të cilët do të krijojnë impakt të fortë shkencor dhe do të ndikojnë në veprimtarinë e përgjithshme kërkimore-shkencore të Universitetit të Tetovës.
Vlen të theksohet se gjatë këtyre ditëve profesorët nga Franca dhe Zvicra së bashku me profesorët dhe studentët e Universitetit tonë realizuan edhe disa vizita studimore në Malin Sharr ku për së afërmi u njohën me biodiversitetin e këtij masivi malor. Ndërsa Prof. Dr. Nexhbedin Beadini para tyre në pika të shkurtra bëri prezantimin e dy pilot – projekteve që kanë të bëjnë me strategjinë afatgjate të monitorimit të ujit dhe ndryshimeve histopatologjike.