Edhe pas deponimit të dorëheqjeve nga postet shtetërore, RDK megjithatë do të mbetet pjesë e Qeverisë. Kjo bëhet e ditur për INA nga burime qeveritare, dhe se për këtë është arritur një marrëveshje mes Vesel Memedit dhe partive në pushtet.
“Informacionet e fundit janë se RDK mbetet në Qeveri dhe se pas reflektimit të Vesel Memedit pritet të komunikohet vendimi pozitiv. Edhe në strukturat e tij partiake ka presione që të mbeten në postet qeveritare”, theksoi për INA, një burim i lartë i Qeverisë.
Por nga ana tjetër, Memedi ka theksuar se vendimin definitiv për këtë do ta komunikojë në seancën e ditëve të ardhshme kur do të vendoset për dorëheqjen e deponuar të tij. Janë spekulime të ndryshme se RDK do të rikthehet dhe se për këtë është përfshirë drejtpërdrejt kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe nënkryetari Nevzat Bejta, pasi që me daljen e RDK-së do të rrezikohet edhe udhëheqja e këshillit në komunën e Gostivarit. RDK nëse do të ngelet në pushtet atëherë do të drejtojë Ministrinë pa resor për investitorët e brendshëm, por do të mbajë edhe drejtoritë (rreth 20) që ka, si dhe postin e nënkryetarit të Kuvendit. (INA)