Gjykatë Speciale edhe në Shqipëri, do të gjykojë politikanët pas vitit 1990

Viti 2019 do të shënjojë finalizimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Pesë vjet pas nisjes së diskutimeve për reformën në drejtësi dhe tre vjet pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese, organet e drejtësisë së re janë në prag të finalizimit.

Marketing

Krahas nisjes së procedurave për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme dhe plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka hapur rrugë konstituimit të Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë dosjet që do të referohen nga SPAK-u, për të gjitha veprat penale të korrupsionit si dhe për çdo akuzë penale për pushtetarët dhe ish-pushtetarët e lartë që nga viti 1990 e këtej.

Përmes një raporti të depozituar në Kuvend mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ informon Kuvendin se 22 gjyqtarë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit për Krimet e Rënda kanë dhënë pëlqimin për të shërbyer në Gjykatën e Posaçme apo siç njihet ndryshe Gjykatën Speciale.

“KLGJ nisi procedurën për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar duke i hapur rrugë krijimit të këtyre gjykatave. Krijimi i gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar përbën një gur themeli, në arritjen e pritshmërive që ka opinioni publik sa i përket reformës në sistemin e drejtësisë.

Në këtë kuadër është kërkuar nga gjyqtarët në detyrë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe të Apelit, të cilët dakordësohen për të vijuar ushtrimin e detyrës se gjyqtarit pranë gjykatës së posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar: Të shprehin interesin e tyre me shkrim, së bashku me familjarët e tyre të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas parashikimeve ligjore. Mbi këtë kërkesë, kanë dhënë pëlqimin pranë KLGJ 14 nga 15 gjyqtarë të cilët ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ndërkohë nga 11 gjyqtarë që ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, kane dhënë pëlqimin 8 gjyqtarë”, thuhet në raport.

Gjykata Speciale rol në çeljen e negociatave
Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson në raport se Gjykata e Posaçme ose Speciale do të japë rezultate të shpejta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat janë prioritetet kryesore për hapjen e negociatave. “Krijimin e Gjykatës së Posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, është jo vetëm një detyrim ligjor prioritar pas ngritjes së KLGJ, por vjen si domosdoshmëri për arritjen e rezultateve të shpejta dhe të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat qëndrojnë në krye të listës së prioriteteve për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Këto prioritete kërkojnë jo vetëm struktura të posaçme por edhe specializimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këtë kuptim bazuar edhe në eksperiencat e rajonit (si p.sh. Kroacia) një koordinim domethënës po kryhet edhe me Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, thuhet në raport.