Katër ministra të Mbrojtjes, shtatë vjet me radhë furnizojnë me uniforma të reja Armatën, por deri më tani në mënyrë të pasuksesshme. Ndërkohë, tre ministra kanë promovuar të njëjtat uniforma të ushtrisë, të cilat ka disa vite që janë të strukur nëpër bodrumet e kazermave dhe presin që të kompletohen procedurat që tu jepen në përdorim ushtarëve, shkruan gazeta KOHA. Së fundmi, Ministria e Mbrojtjes ka anuluar kontratën për furnizimin e Armatës me 14.000 uniforma të reja terreni, mirëpo për shkak të mos përmbushjes së Marrëveshjes për furnizim nga ana e firmës që ka fituar tenderin, ushtarët edhe më tej do të presin që të përfundojnë të gjitha procedurat që të mund ti përdorin uniformat e reja.
“Kemi kërkuar kualitet të lartë. Nuk është mirë që të mos respektohen procedurat dhe të anashkalohen të njëjtat. Bëhet fjalë për uniforma, të cilat duhet të ishin gati tërësisht deri më 18 gusht, ndërsa kompania nuk ka respektuar procedurat paraprake të kontratës. Është dashur që të kontrollohet kualiteti i të njëjtave, të vlerësohen nga ushtarakët etj. Tanimë do të shpallet thirrje e re për zgjedhjen e një kompanie, e cila do ta furnizojë ushtrinë me këto uniforma luftarake për ushtarët”, deklaroi për gazetën KOHA, Bekim Maksuti, zëvendës ministri i Mbrojtjes.
Ndërkohë që po zgjidhet problemi me kualitetin e uniformave, me dekret të Presidentit, Stevo Pendarovski, ajo ka marrë edhe emrin e ri zyrtarë “Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut” (ARMV). Në pajtueshmëri me këtë dekret do të ndryshohen edhe emblemat në uniformat e ushtarëve, për të cilën përsëri kërkohet kohë dhe procedura. “Dekreti i Presidentit ka filluar të zbatohet. Ndërsa ndryshimi i emblemave në uniformat e ushtrisë do të bëhet me furnizimin e tyre me uniforma të reja. Gjithçka do të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe dekretin e Presidentit”, theksoi Maksuti.
Sipas Marrëveshjes së Prespës, është paraparë një periudhë e caktuar kalimtare për ndryshimet që duhet të bëhen në emërtimin e institucioneve dhe riemërimi i uniformave të ushtarëve dhe policëve. Përndryshe, kur Fatmir Besimi i dorëzoi stafetën e ministrit të Mbrojtjes, Talat Xhaferit në vitin 2013, i la për obligim furnizimin e ushtrisë me uniforma të reja. Por as Xhaferit nuk i shkojë për dorë kjo punë kështu që pasardhësit të tij Zoran Jolevski i la në trashëgim vetëm se mostra për uniformat e reja zyrtare të cilat i promovojë në dhjetor të vitit 2013. Ndërsa në vitin 2017, Jolevski i promovojë në mënyrë zyrtare uniformat e reja të oficerëve dhe nënoficerëve, të cilat deri më sot ende nuk janë në përdorim. (koha.mk)