Me kredi shkojnë në pushime

Ngjashëm me vitet e kaluara, edhe sivjet gjatë muajve të verës, bankat komerciale dhe institucionet mikrofinaciare që operojnë në Kosovë, ofrojnë kredi për pushime.

Marketing

Disa nga këto institucione financiare në ueb-faqet e tyre zyrtare apo edhe përmes reklamave, kanë paraqitur këtë lloji produkti për pushime, por në disa banka quhet edhe “ kredi e shpejtë” ose “ kredi personale”.

Për dy vjetët e fundit nuk ka statistika të sakta rreth mundësive financiare të qytetarëve të Kosovës që me mjete të kursimeve të aranzhojnë pushime verore familjare, pa pasur nevojë për një kredi bankare.

Por, marrë parasysh faktin që gjendja ekonomike në Kosovë ndër vite është afërsisht e njëjtë, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, në vitin 2017 si edhe në vitin 2016,70 për qind të ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavor.

Po, sipas të këtyre të dhënave, rreth gjysma e ekonomive familjare gjatë vitit 2017 kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 eurosh përmes burimeve vetanake.

Në pamundësi që shpenzimet për pushime t’i mbulojnë nga kursimet e tyre, shumë qytetarë zgjedhin një kredi të shpejtë për t’i mbuluar këto shpenzime. Kredi për pushime, para një viti, në njërën nga bankat komerciale në Kosovë,kishte marrë edhe një qytetare e Prishtinës me emrin Adelina (emri i njohur për redaksinë).

Adelina me familjen e saj, kishte marrë një kredi në vlerë prej 1500 eurosh vitin e kaluar. Ajo tregon se një vendim të tillë e ka marrë, pasi paga që merr, nuk i mundëson asaj kursime për pushime. Adelina thotë se nuk është e leverdishme të marrësh kredi për pushime.

“Po kam marrë kredi për pushime verore vitin e kaluar në shumën prej 1500 eurosh. Po mendoj se nuk ia vlen pasi që interesi është shumë i lartë, ndoshta mund të merret ndonjë kredi për ndonjë rast urgjent dhe jo për pushime. Por, kur i ke rrogat e vogla, sidomos ne që punojmë në sektorin privat, je e detyruar në njëfarë mënyrë të hysh në kredi”, tregon Adelina.

Edhe Labinot Ademi thotë se ka marrë kredi për pushime, veprim ky që sipas tij, nuk do të përsëritet më.

“Po, kam marrë kredi për pushime në një bankë komerciale në Kosovë. Kamata apo interesi ka qenë i lartë. Po, unë nuk kisha mundësi tjetër që të shkoj në pushime. Ende nuk e kam paguar kredinë, kështu që nuk ia vlen”, thotë Labinoti.

Sado që pushimet verore janë mundësi e mirë për një familje që të kalojnë momente së bashku larg rutinës së përditshme, Gona Berisha nga Prishtina, thotë se nëse kushtet financiare nuk i mundësojnë asaj shkuarjen në pushime, nuk do të pranonte në asnjë formë që të merrte një kredi për t’i kaluar ditët e pushimeve në ndonjë vend të caktuar.

“Jo nuk kam marrë kurrë kredi për pushime dhe as që marr ndonjëherë. Nuk shkoj fare në pushim e kredi nuk marr. Për mua kjo është shumë- shumë e paarsyeshme”, thotë Gona Berisha.

Edhe ekspertë të çështjeve ekonomike nuk e arsyetojnë veprimin e shumë qytetarëve që të zhyten në borxhe e kredi për të siguruar një pushim.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, për Radion Evropa e Lirë thotë se për çdo vit bankat dhe institucionet mikrofinanciare po joshin qytetarët që pushimet veriore t’i kalojnë përmes marrjes së kredive, një ose dy vjeçare. Por, sipas tij, këto kredi kanë një normë të lartë interesi, çka më pas ndikon në mirëqenie dhe ekonomitë familjare.

“Në këtë rast njerëzit që i shfrytëzojnë këto produkte paguajnë një normë të lartë të interesit. Çështja tjetër që ndërlidhet është se një pjesë e madhe e mjeteve financiare nga Kosova derdhen në shtete që pranojnë turistë nga Kosova, siç është Turqia dhe Mali i Zi dhe me pak në Shqipëria”.

“Është një fenomen se shumica e bankave që veprojnë në Kosovë i kanë filialet e tyre edhe në shtetet ku shkojnë më së shumti turistë nga Kosova. Dhe, shpeshherë të njëjtat qytetarët i joshin me kushte dhe interesa më të ulëta”, thotë Bektashi.

Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale dhe 23 institucione mikrofinanciare. Norma mesatare e kamatave për kredi në banka është 6.6 për qind varësisht nga banka dhe lloji i kredisë, kurse në institucionet mikrofinanciare, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, norma efektive e interesit është 20.8 për qind.

Pavarësisht normës së interesit, vlera e kredive në dhjetë bankat komerciale ka arritur në 2.8 miliardë euro, kurse vlera e kredive në institucionet mikrofinanciare ka arritur në rreth 200 milionë euro.