Javën e ardhshme, kalimi i punonjësve në ASK

Të hënën pritet të fillojë procedura e bartjes së të punësuarve nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim në Agjencinë për Siguri Kombëtare. Siç mëson Alsat nga burimet e tij, deri të premten, të punësuarit në DSK që pretendojnë të kalojnë në Agjencinë e re duhet të përmbushin disa kushte, përveç atij që të jenë të punësuar të DSK-së duhet të mos jenë anëtarë partiak, të mos kenë shtetësi të dyfishtë dhe të mos ketë konflikt interesi partiak ose biznesor.

Marketing

Megjithatë, Agjencia akoma nuk posedon akt sistematizimi prandaj dhe nuk dihet mbi cilat kritere do të bëhet shpërndarja e kuadrit të ri. Të punësuarit e DSK-së për të kaluar në ASK duhet të japin pëlqim që do t’i nënshtrohen vullnetit të institucionit për testin e poligrafit, kontrollit për certifikatë sigurie dhe testit të integritetit. Ndërkohë akoma nuk ka njohuri se cila agjenci do ta bëjë testin e integritetit duke qenë se nuk ka pasur as procedurë për tender për zgjedhjen e saj.

Nga rreth gjithsej 650 të punësuar në DSK, në filtrat e bartjes pritet të kalojnë rreth 400. Pjesa e mbetur do të shpërndahen në Ministrinë e Punëve të Brendshme ose institucione të tjera. Përveç aktit të sistematizimit, përpara shpalljes për bartjen e të punësuarve duhet të kishte përfunduar edhe procedura për zgjedhjen e zëvendës drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, për të cilën nuk ka aspak informacione se ku ka ngecur ose çfarë e pengon. Zv.drejtorin e propozon drejtori Viktor Dimovski por e zgjedh qeveria kurse kushtet i plotësojnë vetëm tre shqiptarë. Kompletimi i kuadrit të ASK-së, sipas ligjit duhet të përfundojë e shumta më 20 gusht kurse Agjencia zyrtarisht fillon me punë më 1 shtator. Atëherë pushon së ekzistuari Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim dhe mandati i drejtorit të saj.