Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë, Johannes Hahn pret që së shpejti në Kosovë të mbahen zgjedhjet që do të ndryshojnë gjendjen politike dhe se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës do të vazhdojë në shtator.
Ai theksoi se një zgjidhje politike për situatën në Kosovë është e nevojshme për vazhdimin e dialogut, transmeton Klan Kosova.
Hahn tha mes tjerash se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është një element kyç për përparimin e mëtejshëm të të gjithë rajonit dhe theksoi domosdoshmërinë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.
Hahn, pas takimit me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq në një konferencë të përbashkët shtypi, rikujtoi se Komisioni Evropian, nën drejtimin e Jean-Claude Juncker, ishte i angazhuar për rajonin dhe se shumë ishte arritur në atë kohë, por se “ngjarjet e fundit” hodhën një hije mbi këtë përparim.