Ekspertët: Të shuhet Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale është themeluar më 15 shtator të vitit 2015 dhe kishte për obligim ndjekjen e veprave penale që kanë dalë nga afera e përgjimeve. Kjo prokurori deri tani ka ngritur 17 padi kundër 94 personave, por deri tani epilog ka pasur për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i dënuar me dy vjet burgim dhe ish-ministren e brendshme, Gordana Jankullovska, me 6 vjet, por asnjëri prej tyre nuk janë duke e vuajtur dënimin. Gruevski është arratisur në Hungari, kursa Jankullovska për arsye të ndryshme disa herë ka shtyrë vendimin për të shkuar në burg.

Marketing

Derisa sa partitë politike vazhdojnë përplasjet lidhur me Ligjin për Prokurorinë Publike, që në thelb ka zgjidhjen statusit të Prokurorisë Speciale, njohësit e çështjeve juridike, kanë dalë me qëndrimin se kjo prokurori duhet të pushojë së ekzistuari. Shkas për një qëndrim të tillë të disa prej ekspertëve të njohur, është humbja e kredibilitetit të Speciales, pas dyshimeve për përfshirjen e kreut të saj, Katica Janeva, në një skandal korruptiv, zhvatje të afaristëve, njëri prej të cilëve ka dhënë 1.5 milion euro për t’i lehtësuar procesin gjyqësor për një shkelje tjetër korruptive.

Një gazetë italiane “La Verita” ka publikuar një video, në të cilën sipas gazetës, shihen paratë që i jepen Bojan Jovanovskit (i afërt i Katica Janevës), ndërsa bisedon me afaristin Orce Kamçev, të cilit i premton se Janeva nuk do të ankimojë vendimin për lirimin e tij nga paraburgimi. “Mendoj se kjo agoni duhet të marrë fund, të gjithë prokurorët duhet të japin dorëheqje nga institucioni i Prokurorisë Speciale dhe punën e tyre ta vazhdojnë në kuadër të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Veç kësaj, kjo prokurori duhet t’i procedojë edhe rastet që ajo është duke i hetuar apo për të cilët tani më po zhvillohen procese gjyqësore”.

“Nëse ka lëndë gjyqësore apo procedura hetimore që kanë nisur pas skadimit të afatit për ngritjen e tyre nga Specialja, konsideroj se ato duhet të përsëriten që të mos lihet as edhe një hapësirë për dyshime apo interpretime të ndryshme në aspekt të ndikimeve politike apo mosfunksionimit të së drejtë”, thotë Aleksandar Tortevski, njohës i çështjeve juridike. Ai thotë se në debatin që ka të bëjë me Ligjin për Prokurorinë Publike, fjalën kryesore duhet ta kenë ekspertët, që vendi përfundimisht të ketë një zgjidhje, e cila garanton pavarësi në punën e organit të ndjekjes penale. Kjo, sipas tij, do të çojë në kthimin e besimit të qytetarëve në gjyqësor, që vazhdon të jetë në nivelin më të ulët të mundshëm, në veçanti pas pritjeve të mëdha që kishin në Prokurorinë Speciale.

I të njëjtit mendim është edhe Trendafil Ivanovski, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit Maqedonisë së Veriut, si asnjëherë më parë i duhet një prokuror profesionist dhe i pandikuar nga politika ditore. “Ne duhet të kemi një Prokurori, e cila do të luftojë krimin, korrupsionin dhe që do të përgjigjet para çdo veprimi të saj bazuar në dispozitat ligjore e kushtetuese. Ne duhet të kemi një prokuror të ndershëm, përgjegjës, prokuror i cili në asnjë moment nuk do të ndikohet nga politika. Vetëm një jurist i mirë dhe i përgjegjshëm mund të jetë në krye të organit të akuzës”, vlerëson Ivanovski.

Ai beson se Prokuroria Speciale mund të kishte një rol të tillë, sikur të mos dilnin dyshimet për përfshirjen e kreut të saj në rastin me afaristin, të cilit dy personat që ndodhen në paraburgim i morën 1.5 milion euro. “Prokuroria Speciale, sikur mos të na turpëronte me veprimet e fundit, do të mund të ishte një organ i tillë, me karakteristikat që përmenda. Por, aktet e fundit, dyshimet për përfshirjen e kreut të saj në afera të ulëta e kanë rrënuar imazhin e saj. Në kuadër të saj ka njerëz që mund të vazhdojnë profesionin e tyre, por derisa të mos pastrohet rasti me ish-kryeprokuroren Speciale, kredibiliteti i këtij institucioni është i rrënuar”, thotë Ivanovski.

Prokuroria Speciale është themeluar më 15 shtator të vitit 2015 dhe kishte për obligim ndjekjen e veprave penale që kanë dalë nga afera e përgjimeve. Kjo prokurori deri tani ka ngritur 17 padi kundër 94 personave, por deri tani epilog ka pasur për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i dënuar me dy vjet burgim dhe ish-ministren e brendshme, Gordana Jankullovska, me 6 vjet, por asnjëri prej tyre nuk janë duke e vuajtur dënimin. Gruevski është arratisur në Hungari, kursa Jankullovska për arsye të ndryshme disa herë ka shtyrë vendimin për të shkuar në burg.