Sheqerinska: Forca të huaja duan të pengojnë anëtarësimin në NATO

Deri në momentin e fundit Maqedonia do të jetë pre e sulmeve të faktorëve të brendshëm e të jashtëm, që do të mundohen të pengojnë anëtarësimin e saj në NATO. Paralajmërimi është bërë nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, e cila ka nënvizuar se institucionet vendase janë të dobëta përballë këtyre kërcënimeve.

Marketing

Vetëm disa muaj para anëtarësimit të pritur zyrtar në NATO, ministrja e Mbrojtjes Radmila Sheqerinska thotë se edhe më tej do të ketë sulme, nga forca të brendshme dhe të huaja të cilat duan ta pengojnë integrimin euro-atlantik të Maqedonisë. Por megjithatë, shumë shembuj si publikimi i bisedave të incizuara në fshehtësi në rrjetet sociale, bashkëbisedues të rrejshëm me kryeministrin, ose krijimi masiv i lajmeve manipuluese, sugjerojnë se sistemet vendase të sigurisë dhe komunikimeve janë të rrezikuara.

Radmila Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes: Dobësi në lidhje me kërcënimet e reja janë vërejtur në të gjitha shtetet, ky po bëhet një lloj i ri i rrezikimit të sistemit dhe të institucioneve. Ka shumë persona në vend por edhe jashtë tij të cilët mendojnë se duhet të bëjnë gjithçka që vendi ynë të mos bëhet anëtar i NATO-s dhe të mos fillojë negociata me BE-në. Është interesi ynë strategjik që të mos lejojmë të kenë sukses në këtë qëllim. Dhe për këtë arsye kemi nevojë për institucione dhe politikanë të fuqishëm të cilët nuk do të bëjnë kompromis me shtetin juridik.

Mysafiri i Ministres së Mbrojtjes, komandanti i Gardës Kombëtare të shtetit federal amerikan të Vermontit, Gregori Najt, me të cilin ushtria e Maqedonisë ka një bashkëpunim 25-vjeçar, shpreh bindjen se anëtarësimi në Aleancë është i padiskutueshëm, në emër të sigurisë në Evropë.

Gregori Night, komandant i Gardës Kombëtare Vermont: Ne jemi të përkushtuar ta ndihmojmë Republikës së Maqedonisë së Veriut, ta rrumbullakësojë anëtarësimin në NATO, të bëhet pjesë e ekipit, anëtarja e 30-të dhe të ndihmojë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit në Evropë.

Gjatë më se dy dekadave të kaluara rreth 5000 ushtarë nga ushtria e Maqedonisë janë trajnuar me ndihmën e Gardës Kombëtare të Vermontit, janë mbajtur rreth 400 stërvitje dhe trajnime të përbashkëta. Gjenerali Night tha se do të dëshironte që bashkëpunimi ushtarak në të ardhmen të zgjerohet edhe në nivel civil. Senati Amerikan pritet që së shpejti ta ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ndërkohë që këtë e kanë bërë 20 vende të tjera anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë.