Samiti i G7 në Francë/ Masa të rrepta sigurie, Merkel dhe Trump “trazojnë” botën

Presidenti francez, Emmauel Macron është përgatitur më së miri për samitin e G7-s. Një sfidë diplomatike ndodhet para tij në fundjavë në Biarritzin francez, sepse axhenda përmban tema me potencial konflikti.

Marketing

Samiti i 7 vendeve më të industrializuara zhvillohet nga e shtuna deri të dielën nën masa të forta sigurie. Macron kërkon të trajtojë në samit si pikë të parë edhe djegien masive të pyjeve në Amazona. Sipas tij këto djegie paraqesin një krizë ndërkombëtare.

Për Samitin në Biarritz është mobilizuar një numër i madh policësh. Si vend i zhvillimit të samitit, presidenti francez ka zgjedhur hotel “Du Palais, rezidenca e dikurshme, të cilën Napoleoni III e ndërtoi si rezidencë vere për perandoreshën Eugeni. Eleganca mondane e pallatit i ka mbijetuar kohës.

Macron kërkon të mënjanojë në këtë samit dështimin e samitit paraardhës në Kanada. Vitin e kaluar, Trump hoqi dorë nga deklarata e përbashkët e samitit përmes tëitterit, dhe ia la fajin për këtë kryeministrit kanadez e mikpritësit, Justin Trudeau.

Megjithatë edhe në Biarritz qëndrojnë në axhendë tema me potencial konflikti. Raundi i ri në konfliktin tregtar mes SHBA-së e Kinës, marrëdhënia me Iranin, mbrojtja e klimës, çështja e tatimit të koncerneve globale dhe bashkëpunimi me Rusinë – në këto çështje SHBA me presidentin, Donald Trump ka qëndrime të ndryshme nga BE.

Përgjigja e Macron kësaj here për një deklaratë të përbashkët është pritja. Para samitit ai ka thënë, se “ne do të flasim në mënyrë jozyrtare për temat e rëndësishme – siguria, tregtia dhe ekonomia botërore, dhe do të shohim, nëse pas kësaj ka mjaft material për një deklaratë të përbashkët.” Kjo e thyen traditën e njohur katërdekadëshe të samiteve të G7-s, që janë kuptuar si bashkësi që mbi bazën e vlerave të përbashkëta politike dhe bindjeve ekonomike konsultohen në një atmosferë jozyrtare – pra multilateralizëm në formë të pastër.

Para samitit, presidenti, Emmanuel Macron dërgoi një paralajmërim ndaj fuqive perëndimore. Në kohën e fuqizimit të disa shteteve në Azi, perëndimi nuk mund t’i lejojë vetes asnjë dobësi dhe duhet të formësojë në mënyrë aktive “rendin e ri botëror”, ndryshe Europa ka gjasa të gjendet në fund në “rolin e vasalit”. Po ashtu konflikti tregtar me Kinën i ndezur nga presidenti Trump, pritet të hedhë hije në samit. Ndërkohë sipas qarqeve qeveritare amerikane, Trump pritet që në samit të kërkojë nga partnerët të ndjekin modelin ekonomik të SHBA – me ulje tatimesh dhe derregullim, që në fund kanë sjellë tregues ekonomikë më të mirë për SHBA se Europa.

Në samit priten edhe takime bilaterale të presidentit Trump me kancelaren Merkel, me mikpritësin Emmanuel Macron, kryeministrin britanik, Boris Johnson, kryeministrin japonez, Shinzo Abe, atë kanadez, Justin Trudeau, dhe kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, që është i ftuar në këtë samit.