Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund të ndahen nga pakoja për fillim të bisedimeve aderuese për në Bashkimin Evropian. Këto zëra për TV21 i konfirmon edhe zëvendëskryeministri për çështjet evropiane Bujar Osmani, ndonëse shpreson që kjo të mos ndodhë.
“Ka zëra që mund të ndahet”. Unë nuk do të kisha dashur të ndodh kjo për shkak se mendoj të dyja vendet e meritojnë fillimin e bisedimeve por në fund të fundit nuk jemi ne ata që vendosim prandaj as nuk duhet të futemi në këtë debat se a duhet Shqipëria të marrë datë ose jo”, deklaroi Bujar Osmani zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
Osmani thotë se Maqedonia është në 5 javët e fundit historike ku pritet të merret datë për nisje bisedimesh, andaj po bëhen përpjekjet e fundit për ta rrumbullakosura procesin. Ai sot qëndron në Stokholm, për të vazhduar agjendën në Bruksel, Berlin dhe në Paris. Po sa Franca skeptike e zgjerimit është bindur se Maqedonisë i duhet datë?
“Franca e cila për momentin është ne proces të vendimmarrjes finale. Me të gjitha vështirësitë e rezistencës së opinionit publik, dilemave që kanë ndaj procesit të zgjerimit në përgjithësi, unë mendoj se dosja jonë, storja jonë, është aq e fuqishme sa nuk do ta lërë indiferent as Francën për të refuzuar një sukses të tillë si ajo që kemi bërë ne në këto 3 vitet e fundit”, tha Bujar Osmani.
Sa i përket votës gjermane, Osmani pret që më 26 shtator Bundestagu të marrë vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut. Euro ambasadori Samuel Zhbogar, duke iu referuar situatës për Prokurorinë Speciale, dje deklaroi se gjetja e një zgjidhjeje për drejtësi funksionale është më e rëndësishme se sa data për bisedime.
“Kemi edhe një muaj deri tek 15 tetori dhe mendoj se ka disa pritshmëri nga vendet anëtare se do të ketë garanci për lëndët e Prokurorisë Speciale”, u shpreh ambasadori i BE-së në Shkup Samuel Zhbogar.
Edhe Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov këtë javë ka zhvilluar disa takime me zyrtarë të shteteve anëtare të BE-së duke u prezantuar atyre argumentet se pse Maqedonia duhet të marrë datë për bisedime në tetor. Si¬ç kumtojnë nga kabineti i tij, Ministri i Jashtëm gjerman Hajko Mas është shprehur optimist dhe se “nuk sheh asnjë pengesë që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat për anëtarësim në BE”.