Bashkimi Evropian ka deklaruar se do të shtojë fondet për përparim e lirisë së mediave në rajon. Në ditën e tretë të Ditëve të Medias BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet nga 12- 13 shtator në Podgoricë të Malit të Zi, Komisioni Evropian konfirmoi mbështetjen e tij për rajonin me nisma të reja që përqendrohen në përgjegjshmërinë e medieve, njohuritë dhe qeverisjen, ekspertizën gjyqësore për lirinë e shprehjes dhe promovimin e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal. Në një deklaratë për shtyp, BE ka bërë me dije fondin që do të jepet për këtë nismë, dhe është përkatësisht 20 milionë euro. “Liria e shprehjes dhe liria e medias janë pjesë e vetë themelit mbi të cilin është ndërtuar Bashkimi ynë; ato janë gjithashtu tregues kyç politikë në procesin e anëtarësimit në BE. Duke pasur parasysh zhvillimet shqetësuese në të gjithë rajonin, që nga ndërhyrjet e panevojshme politike deri te përhapja e dezinformatave, Ditët e Medias të këtij viti vendosën në qendër të vëmendjes marrëdhëniet midis mediave dhe politikës dhe hapën rrugën drejt identifikimit të veprimeve konkrete dhe mundësive për të përmirësuar situatën aktuale”, ka komentuar Johannes Hahn, Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit. Ndërkohë BE ka rritur mbështetjen e tij sa i përket lirisë së mediave më së shumti në Ballkanin Perëndimor, siç e konfirmon ai vetë në një deklaratë për shtyp. “Bashkimi Evropian ndjek një qasje strategjike afatgjatë për të mbështetur lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor. Ndihma e vazhdueshme e BE-së përfshin një numër programesh dhe nismash të përqendruara në qëndrueshmërinë ekonomike, përgjegjshmërinë e medias dhe rrjetet rajonale që nxisin bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin. Mbështetja e vazhdueshme arrin në mbi 20 milionë, përfshirë 11.5 milionë përmes 5 programeve rajonale dhe 8.2 milionë për nisma në gjashtë vendet partnere të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë. Një projekt do të jepet edhe për Kosovën, i cili ka të bëjë me mbështetjen e medias dhe gazetarisë së pavarur me një perspektivë të të drejtave të njeriut.