Rebalanci i buxhetit, Angelovska: Më shumë para për qytetarët. Opozita-po shkurtohen investimet kapitale.,Pushteti- ka parametra pozitivë

Kuvendi ka nisur debatin për rebalancimin e buxhetit për vitin 2019. Ministrja e Ekonomisë, Nina Angellovska, arsyetoi projektimin e ri të arkës, duke sqaruar se i njëjti siguron më shumë para për qytetarët, mbështetje financiare për biznesin, hapjen e vendeve të reja të punës dhe paga më të larta.

Marketing

Me rebalancin, 400 milion denarë janë parashikuar për subvencionimin e pagave në sektorin privat, 200 milion denarë për masa aktive të punësimit, fonde shtesë për bujqësinë për sëmundje të rralla, për mbrojtjen e sistemit të kolektorëve të liqenit të Ohrit, si dhe për kthimin e TVSh-së.

“Qëllimet e vendosura për vitin 2019 plotësisht janë të parashikuara në funksion të arritjes së prioriteteve kyçe të shoqërisë. Paga më të mëdha për rritjen e ekonomisë, rritjen e punësimeve produktive, ngritjen e standardit jetësor të vendbanimeve, arritjen e nivelit më të lartë të drejtësisë sociale dhe intensivimin e proceseve integruese në BE dhe në NATO”,- tha ministrja e financave, Nina Angellovska.

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka akuzuar se me rebalancin pushteti po dëshmon joefikasitet dhe paaftësi në realizimin e investimeve kapitale.

“Rebalanci i buxhetit për RM-në për vitin 2019 tregon joefikasitetin e institucioneve të udhëhequra nga qeveria që e drejton Zoran Zaev dhe LSDM. Shkurtimi i mjeteve për investime kapitale duket se është pasqyra kryesore e qeverisjes së LSDM-së. Kështu me këtë rebalanc shkurtohen 53 milion euro për investime kapitale për shkak të paaftësisë dhe joefikasitetit që ata të realizohen”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Nga grupi parlamentar i BDI-së u deklaruan se mbështesin rebalancin e buxhetit. Sipas tyre, parametrat e zhvillimit të vendit për momentin janë pozitivë teksa shqetësim mbeten investimet kapitale.

“Edhe përskaj problemeve që kemi si shtet dhe si shoqëri, parametrat ekonomikë janë pozitivë. A janë aty ku ne pretendojmë të shkojmë, gjithsesi jo, por megjithatë parametrat janë pozitivë, ka lëvizje pozitive, ka edhe çështje të cilat në retrospektivë na përsëriten, siç janë investimet kapitale”,- u shpreh Rexhail Ismaili nga BDI.

Sipas propozimit, të ardhurat totale me rebalancimin e buxhetit janë planifikuar në nivelin 210.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet totale janë përcaktuar në 228.3 miliardë denarë. Debati mbi rebalancin e arkës shtetërore do të zgjasë 10 ditë.