Xhaferri i kthen opozitës nismën për Komision anketues

Për shkak të disa lëshimeve procedurale, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, e ka kthyer te propozuesit kërkesën e deputetëve të VMRO-DPMNE-së për formimin e Komisionit Anketues për Prokurorinë Publike Speciale. Në mesin e lëshimeve janë mosdefinimi i saktë i veprës, përdorimi i shkurtesës prokurori për PSP-në, mospërdorimi i emrit kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut, apo mungesa e emrit dhe mbiemrit të kryetarit të Kuvendit. Por, vërejtjet nuk janë të pranueshme për VMRO-DPMNE-në.

Marketing

“Ajo që ne e kemi si informacion nga shërbimet e kuvendit dhe vet dorëshkrimi i propozimit për kthimin e vendimit, për formimin e Komisionit anketues është se ky nuk është dorëshkrimi i Talat Xhaferit, ky është dorëshkrimi i Cfetanka Ivanovës sekretare e përgjithshme e kuvendit apo ndonjë i afërm, këshilltar i lartë nga ana e LSDM-së që Talat Xhaferi patjetër duhet ta dëgjonte dhe ta nënshkruajë dhe ta kthejë propozimin për formimin e Komisionit anketues”- tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Ivanova: Nuk janë të vërteta pretendimet e Milloshovskit

Ka reaguar sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Cfetanka Ivanova, e cila i quan të pavërteta pretendimet e Milloshovskit. Në një reagim me shkrim, Ivanova i dënon të gjitha përpjekjet e që implikojnë atë dhe shërbimet e Kuvendit për intervenime politike në punën e Kuvendit.

“Me manipulime politike, aluzione joadekuate dhe pa kurrfarë dëshmish, deputeti, Antonio Milloshovski, në press-konferencën e sotme e vendosi emrin e zonjës Ivanova në kontekst politik, i cili nuk është dhe nuk mund të vijë në kurrfarë korelacioni në përputhje me funksionin që e kryen në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”,- thuhet në reagim.

VMRO-DPMNE është në panik, pasi nuk ia doli t’i shkatërrojë lëndët e PSP-së, vlerësojnë nga LSDM, duke theksuar se raportet për punën financiare të PSP-së janë shqyrtuar çdo gjashtë muaj.

“Ky është edhe një tentim dëshpërues nga ana e VMRO-DPMNE-së në njëfarë mënyre të përpiqet të amnistojë krimin dhe kriminelët në radhët e saj nuk do të kenë sukses në këtë. Është i qartë qëllimi dhe vijat tona të kuqe secili që ka shkelur ligjin patjetër të përgjigjet, kjo vlen edhe për VMRO-në”,- theksoi Kostadin Kostadinov nga LSDM.

VMRO-DPMNE ka 15 ditë afat të përmirësojë lëshimet e në të kundërtën kërkesa për formimin e Komisionit anketues nuk do të merret parasysh.