Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në kuadër e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin e shkëlqyer me NATO-n dhe KFOR-in si dhe procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovë.
Presidenti Thaçi ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë bashkëpunim të shkëlqyer me NATO-n, e cila është garantuesja e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“KFOR-i vazhdon të kryejë një punë të mrekullueshme në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi po ashtu ka theksuar se procesi i transformimit të FSK-së në ushtri është duke shkuar sipas dinamikës të përcaktuar nga institucionet e Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar.
“FSK sot është një forcë profesionale, e standardeve të NATO-s, e trajnuar nga NATO, forcë multietnike e që angazhohet për përfaqësim të barabartë gjinor”, ka thënë presidenti Thaçi.
Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg nga ana e tij ka thënë se NATO mbetet e përkushtuar për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Thaçi shtoi se ka ardhur koha që të avancohen marrëdhëniet tona dhe Kosova të anëtarësohet në NATO.