“Paralelja shqipe”, Komuna e Gazi Babës i bie pishman,premton objekt të ri shkollor në Idrizovë

Kthesë e papritur në problemin me hapjen e paraleles shqipe në Idrizovë. Komuna e Gazi Babës pas refuzimit që i bëri kërkesës për hapjen e paraleles shqipe pranë shkollës fillore “Njegosh” në lagjen e Jurumlerit, sot ka dalë me vendimin për ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë ku do të kalonin të gjitha paralelet me mësim në gjuhën shqipe, pra mësimi do të zhvillohej nga klasa e parë deri në të nëntën, që përfshijnë afër 100 nxënës. Vendimi u njoftua pas një takimi mes kryetarit të komunës, Boris Georgievski, deputetit të LSDM-së, Muhamed Zeqiri dhe përfaqësuesit të këshillit të prindërve, Rizvan Seferi. Georgievski ndërtimin e shkollës e ka paraparë në afat prej tre muajsh, respektivisht gjysmë vjetori i dytë i shkollës të fillojë në objektin e ri. Parcela për shkollën e re tashmë është caktuar dhe është në pronësi të komunës.
Detyra jonë si komunë është që ti dorëzojmë të gjitha dokumentet e nevojshme në Ministrinë e Arsimit, ndërsa kjo e fundit në bazë të standardeve dhe kushteve është e obliguar që në një afat sa më të shkurtër ti mundësoj të gjitha kushtet, ndërtim dhe rikonstruim të një shkolle fillore që duhet të ndërtohet nga themeli në vendbanimin Idrizovë. Në këtë mënyrë do të kemi më së paku 4 ose pesë kabinete për mësim, plus zyra e arsimtarëve, elemente shoqëruese si pjesë e shkollës si dhe pajisje të re për gjithë shkollën periferike – deklaroi Boris Georgievski, kryetar i komunës Gazi Babë.
Deputeti, Muhamed Zeqiri tha se për këtë propozim është punuar një kohë të gjatë dhe me këtë do të ketë një zgjidhje të përhershme të arsimimit për banorët shqiptarë të Idrizovës. Pavarësisht se në këtë takim nuk kishte përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Zeqiri tha se edhe ky institucion do të ketë pjesën e vet për zgjidhjen e këtij problemi.
Nuk është puna se e ka bë deputeti zgjidhjen apo dikush tjetër vet, kjo zgjidhje nuk zgjidhet vet, këtu bën pjesë edhe Ministria e Arsimit që ka detyrën e vet që duhet ta kryej, kryetari I komunës. Deri tash unë nuk kam dal në mediume të flas, është hera e parë që dal të flas, kjo do të thotë se unë kam punuar, jo para mediumeve, por kam punuar atje ku e kam vendin të punoj me njerëzit që i përfaqësojnë institucionet që të vijmë deri në një propozim konkret që ta zgjidhim problemin – tha Muhamed Zeqiri, deputet I LSDM-së.
Zgjidhja e propozuar të shtunën do t’i prezantohet banorëve të fshatit Idrizovë të cilët edhe do të thonë fjalën e fundit nëse do të pranojnë apo do të mbetën në kërkesën për të ndjekur mësimin në shkollën amë në lagjen e Jurumlerit. Nga këshilli I prindërve në këtë takim presin praninë edhe të ministrit të arsimit.
Shpresojmë që edhe ministri do të marrë pjesë para gjithë fshatit. Në qofte se me të vërtet për tre muaj, para gjysmë-vjetorit bëhet ky objekt atëherë ne do të pajtohemi. Nuk po foli prej tash, por shpresoj që do të pajtohen të gjithë. Por, nëse nuk bëhet, nuk zgjidhet problem, nuk bëhet objekti, atëherë e dimë të gjithë se çka do të ndodhë pas kësaj procedure – u shpreh Rizvan Seferi, përfaqësues i prindërve.
Nga Ministria e Arsimit u shprehën se akoma nuk janë njoftuar me propozimin e ri të Komunës Gazi Babë por duke shtuar se janë të gatshëm të ndihmojnë në përshpejtimin e çdo procedure që ka të bëj me ndërtimin e shkollës së re. Iniciativa për ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë është nisur që para nje dekade por kurrë nuk është përfillur nga institucionet përkatëse. Për këtë nismë të atëhershme ishte dhuruar edhe tokë për ndërtimin e një objekti të ri, por edhe ajo nuk u mor seriozisht nga udhëheqësia e kaluar e Komunës Gazi Babë.

Marketing