14 kompani u pajisën me certifikatë “Hallall”, për shkak të produkteve të shëndetshme që nuk përmbajnë elemente kancerogjene.
Nga BFI dhe Ministria e Ekonomisë, të cilët ndajnë certifikata të reja, theksuan se përpos garancisë për pastërtinë e produktit, certifikata e këtij lloji paraqet edhe një lloj konfirmimi të përmirësimit të konkurrencës midis kompanive dhe mundësi për plasman në tregjet e reja.
“Duke pasur parasysh kushtet klimatike që i ka vendi ynë për turizëm veror dhe dimëror, shfrytëzojmë rastin që t’iu bëjmë apel të gjithë agjencive turistike në vend që t’i kushtojnë vëmendje kësaj fushe ku në nivel botëror i kushtohet vëmendje e posaçme. Turizëm Hallall, i cili për çdo vit është në rritje që nënkupton edhe në aspektin e interesit material të investitorëve se është investim i sigurt”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për Standardin Hallall, Muhamer Veseli.
“Marrë parasysh të gjitha të dhënat, tregojnë pikërisht se ky treg parashihet të jetë një treg aq i madh që i tejkalon mbi 800 miliard euro në nivel global dhe mbi 65 miliard euro në nivel evropian. Të implementojnë këtë standard i cili është me rëndësi të veçantë jo vetëm për të fituar tregjet apo për të rritur eksportin në tregjet ku kërkohet ky standard, por njëkohësisht edhe për tërheqjen e turistëve nga vendet islame”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Produktet të cilat mbajnë certifikatën “Hallall” nuk duhet të kenë përmbajtje të gjërave të cilat janë të ndaluara sipas fesë islame, ndërsa kjo tashmë bëhet për të shtatin vit me radhë, nga Agjencia për Standardin Hallall, e cila është në kuadër të BFI-së dhe Ministrisë së Ekonomisë.