Turqia bisedon me Rusinë për “blerje të reja të sistemit S-400”

Turqia po diskuton blerjen e sistemeve të tjera S-400 nga Rusia, tha eksportuesi shtetëror i armëve ruse Rosoboronexport, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të Uashingtonit kundër veprimeve të tilla.

Marketing

Shefi i Rosoboronexport-it, Aleksandr Mikheyev, i tha agjencisë ruse të lajmeve Interfax se dy palët po diskutojnë për financimin dhe “kohën e dorëzimit” të sistemeve për mbrojtje raketore.

Ai nuk dha më shumë detaje.

Turqia, anëtare e NATO-s, ka marrë dërgesën e parë nga Rusia me S-400 në muajin korrik, duke bërë që Shtetet e Bashkuara ta përjashtojnë atë nga programi i tyre i avionëve luftarakë F-35.

Raporti i ri vjen një ditë pasi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, takoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Soçi dhe tha se Rusia dhe Turqia do të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në mbrojtje.

“Puna me S-400 vazhdon. Turqia po merr prokurime të furnizimit. Bashkëpunimi dypalësh në industrinë e mbrojtjes do të vazhdojë me vendosmëri”, tha Erdogan.

Gjatë takimit të njëjtë, Putin dhe Erdogan janë pajtuar që t’iu lejojnë forcave kurde të tërhiqen nga zonat pranë kufirit të Sirisë me Turqinë dhe që Turqia dhe Rusia të patrullojnë atje së bashku./REL