Nëse Maqedonia e Veriut nuk merr ftesë për të hyrë në NATO gjatë muajit janar, liderët e partive politike janë marr vesh që të shtyhen zgjedhjet. Kështu mbrëmë theksoi deputeti i BDI-së Artan Grubi, në emisionin Opinion në Tiranë.
“Në qoftë se vonohet Spanja, ne do të detyrohemi që t’i shtyjmë zgjedhjet të cilët i dakorduam në takimin e liderëve. Ne marrëveshjen e kemi të liderëve me insistimin tonë që Maqedonia mund të shkojë në zgjedhje vetëm pas anëtarësimit në NATO. Nuk mund të rrezikojmë që të gjithë vendet ta kenë të ratifikuar protokollin në parlamentet e tyre e ne të mbetemi pa parlament”, u shpreh Artan Grubi, deputet i BDI-së.
Edhe kryeministri Zaev thotë se do të ishte joserioze që të mos kemi parlament, në momentin kur të gjitha shtetet kanë ratifikuar protokollin aderues.
“Unë nuk dua t’i komentoj diçka më tepër apo më pak sesa e vërteta. Gjithçka që u bisedua në lidhje me NATO-në, se si të sigurojmë, për shkak se procedura na tregon se vendi i fundit që do ta ratifikojë protokollin, është Spanja, për shkak se më 10 nëntor kanë zgjedhje parlamentare. Ne presim që deri në fund të dhjetorit ta ratifikojnë, për shkak se konstituimi i Kuvendit është caktuar për më 3 dhjetor. Pasi që ta ratifikojnë, atëherë vijon nënshkrimi mes kryeministrit të RMV dhe Sekretarit të përgjithshëm, Stoltemberg të Protokollit përfundimtar, i cili kthehet në Parlamentin tonë. Do të ishte joserioze që të mos kemi atëherë parlament”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Ditë më parë krerët e partive politike në takimin te Presidenti Stevo Pendarovski, u pajtuan që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas dështimit për marrjen e datës me Bashkimin Evropian.