Marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e kujdesit për gjuhën e unifikuar shqipe

Sot Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup e vizitoi një delegacion i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin së Paku 20% e Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga drejtori Ylber Sela. Me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional, ai bashkë me drejtorin e Institutit, Skender Asani, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, për mbështetjen e ndërsjellë profesionale, veçanërisht në fushën e kujdesit për gjuhën e unifikuar shqipe.
Me këtë marrëveshje parashihet bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, siç është këmbimi i resurseve, kuadrove, literaturës dhe përvojave për zbatimin e drejtë të shqipes në Republikën e Maqedonisë së Veriut; pensibilizimi i opinionit më të gjerë për nevojën e kultivimit dhe ruajtjes së trashëgimisë gjuhësore shqipe si pasuri kombëtare; promovimi dhe kujdesi për gjuhën e unifikuar shqipe; studimi i mundësive për mbështetjen e projekteve të ndërsjella mes ITSHKSH-së dhe Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin së Paku 20% e Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për realizimin e projekteve të ndryshme që e përmbushin synimin e këtij memorandumi; stimulimi i projekteve të përbashkëta; etj.
Ky memorandum është në vazhdën e përpjekjeve të këtye dy institucioneve për zgjerimin e kapaciteteve dhe ngritjen e nivelit të bashkëpunimit në sferën e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe.

Marketing