Nismat kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve, LSDM: Ligji në harmoni me Kushtetutën

Ligji për përdorimin e gjuhëve është në harmoni me Kushtetutën dhe është miratuar konform Rregullores së Kuvendit, kështu që nismat që janë ngritur para Gjykatës Kushtetuese janë të destinuara të dështojnë, konsiderojnë nga LSDM.

Marketing

Zëdhënësi i kësaj partie, Kostadin Kostadinov, thotë se përkundër obstruksioneve të opozitës maqedonase dhe presioneve mbi deputetët që përkrahën këtë ligj, me miratimin e tij u përmbyll zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Po, është në harmoni me Kushtetutën dhe gjithsesi me atë përfundimisht e realizojmë Marrëveshjen e Ohrit, që është një arsye më shumë që të jemi të lumtur për zbatimin e saj. Për fat të keq, patëm situatë, sidomos ne deputetët, që e përkrahëm fuqimisht Ligjin për përdorim të gjuhëve, që për shkak të instruksioneve të VMRO-DPMNE-së opozitare dhe disa forcave destruktive, të detyrohemi të mbrohemi me sigurim policor”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Konstadin Konstadinov.

Gjithsesi, i takon Gjykatës Kushtetuese që të shqyrtojë këto nisma dhe të marrë vendim meritor, thotë Kostadinov.

“Nuk do të kisha dashur që në mënyrë hipotetike të ndërhyj në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Do të ishte joparimore si politikan i përgjegjshëm. Të presim, konsideroj se nuk do të ndodh asgjë në kundërshtim me ligjin, prandaj të presim dhe më pas mund të komentojmë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nëse janë në kundërshtim me marrjen e vendimeve tona, në kuadër të Kuvendit”,- theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Konstadin Konstadinov.

Në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar dhjetëra iniciativa, nga persona të cilët kontestojnë kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ndër ta është edhe partia opozitare jashtparlamentare “E majta”.

Kryesisht kontestohet miratimi i ligjit me shenjën e BE-së dhe publikimi në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e presidentit të atëhershëm. Është paralajmëruar se Gjykata Kushtetuese do t’i shqyrtojë nismat gjatë nëntorit.