Është anuluar gjykimi për rastin “Monstra”, për shkak të një rasti vdekjeje të një familjareje të afërt të njërës prej anëtareve të Këshillit Gjyqësor.
Gjykimi do të vazhdojë më 27 nëntor me leximin e sms-porosive të periudhës kur ka ndodhur vrasja, të cilat janë pjesë e “bombave” të ish Prokurorisë Speciale, e që tani janë në duar të Prokurorisë Themelore Publike. Të akuzuarit parësorë, familjet e viktimave, por edhe i gjithë opinioni, pret me padurim të mësojë të vërtetën rreth vrasjes makabre të prillit të vitit 2012, të katër të rinjve Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naçevski dhe peshkatarit, Borçe Stefanovski. Procesi gjyqësor udhëhiqet nga gjykatësi, Ognen Stavrev, ndërsa përfaqësues të Prokurorisë janë Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski. Në procedurë të parë me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri, dhe Sami Luta.
Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar tërhoqi aktvendimet dhe liroi nga paraburgimi të dënuarit, Agim Ismailloviq, Haki Azirin, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe u caktoi masë kujdesi. Për gjykatën ende janë të pakapshëm Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq, për të cilët janë shpallur fletë-arreste ndërkombëtare.