Ambientalistët: Ndotja e ajrit kërkon qasje më serioze

Masat e autoriteteve qendrore dhe pushtetit lokal për uljen e ndotjes së ajrit nuk kanë munguar por ende niveli i ndotjes mbetet i lartë thonë ambientalistët. Profesori universitar Afrim Osmani, në një prononcim për TVM 2, thotë se trajtimi i kësaj çështjeje, kërkon një qasje më serioze nga autoritetet, pasi kjo paraqet kërcënim serioz për qytetarët.

Marketing

“Republika e Maqedonisë së Veriut, duhet ta ndezë llambën e kuqe që të ndizet alarmi me qëllim që të aktivizohen të gjitha institucionet relevante dhe të gjithë ata që mund të kontribuojnë, qoftë organizatat ekologjike, qofshin ambintalistët në përgjithësi” – u shpreh ambientalisti, Afrim Osmani.

Sipas tij, rregullativa ligjore për mbrojtjen e ambientit , nuk mungon, çështja e mbrojtjes së ambientit jetësor është ngritur në nivel kushtetues, kemi edhe ligj të veçantë për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ndërsa parashihen edhe dënime konkrete për shkelësit, por praktika gjyqësore dëshmon të kundërtën, dënimet ndaj shkelësve janë minimale.

“E kemi një Francë që në vitin 2015, kryeqendra Parisi, ndërmori vendim që në 15 vitet e ardhshme, çdo e dyta ditë e javës transporti publik të jetë falas, me target çift tek e kështu me radhë, në qendër të kryeqytetit të mos ketë frekuencë të madhe automjetesh. Poashtu vendi fqinjë Bullgaria çështjen e mbrojtjes së ambientit jetësorë ua barti kryetarëve të komunave. Për kryetarët e komunave parashihen edhe masa konkrete nëse nuk i ndërmarrin veprimet e paralajmëruara” – deklaroi Osmani.

Osmani thotë se edhe vetëdija ekologjike e qytetarëve është e ulët. Këtë e konfirmojnë edhe vet qytetarët e anketuar nga TVM 2, të cilët thonë se ekziston mundësia të mbahet llogari për lëndët që përdoren për ngrohje, apo kufizim të përdorimit të automjeteve, ndërsa autoriteteve u kërkojnë që si pjesë e masave të jetë edhe ulja e çmimit të transportit publik.

“Shumica e njerëzve përdorin për rrugë të shkurtër veturat, ku mund të shkojnë edhe në këmbë, autoritetet duhet ta ulin edhe çmimin e biletave të transportit publik që njerëzit të kenë një opsion më të lirë”. “Mendoni se ambient ynë është i pastërt, kush të na ndihmojë, cili pushtet të vijë që ne të mos hedhim mbeturina gjithkund, kush të na ndihmojë që të mos djegim goma apo të mos përdorim veturat pa nevojë, kur mund të përdorim biçikletën” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.

Javën që lamë pas, niveli i ndotjes së ajrit në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe qytete tjera të vendit ka qenë i lartë, në disa raste Shkupi ishte edhe ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë. Nga minstria e ambientit dhe qyteti i Shkupit kanë thënë se po ndërmarrin një sërë masash, përfshi subvencionimin e ngrohjes ekologjike, por disa prej tyre do të japin efekte në planin afatgjatë.