Përkujtohen Fadil Sulejmani dhe Abdyleselam Emini

Në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 25 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës – senatorët, dekanët, profesorët dhe studentë bënë homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini dhe te varri i Rektorit të parë dhe historik të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Fadil Sulejmani.

Marketing

Këto dy figurat historike pa të cilët ky universitet do të ngelej vetëm një ëndërr e shqiptarëve.

Ndryshe, Abdylselam Emini u vra nga forcat policore në vitin 1995, në mbrojtje të objektit të universitetit, një ditë pas fillimit të ligjëratave të para në UT. “U bënë homazheve tek busti i dëshmorit, delegacioni vazhdoj për tek varri i Rektorit të parë historik të Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmani, pishtar ky i cili vuri themelet e para të këtij tempulli të dijes nga ku po dalin gjeneratat më të ndritura të të ardhmes së shqiptareve të vendit dhe jo vetëm”, tha prorektori për arsim i UT-së, Reshat Qahili. Universiteti i Tetovës, njëri nga katër universitetet shtetërore në Republikën e Maqedonisë, u themelua më 4 qershor të vitit 1994.

Ky universitet si institucioni i parë i arsimit sipëror me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë u themelua nga Kuvendi për themelimin e universitetit në gjuhën shqipe, i cili u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal të Tetovës, me nismë dhe në organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni. Universiteti i Tetovës është zyrtarizuar në janar të vitit 2004, me sjelljen e Ligjit nga Parlamenti i Republikës së Maqedonisë për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Mësimi në këtë institucion zhvillohet kryesisht në gjuhën shqipe, si dhe në gjuhën maqedonase dhe gjuhën angleze.