Që në vitin 2018, gjykatat kanë qenë të obliguara palëve, të cilët kanë parashtruar parashtresa në gjuhë shqipe, t’u përgjigjet në gjuhën shqipe. Me ligjin e vitit 2008 në fakt fillon edhe zbatimi i amendamentit V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, baza e të cilit buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Kështu janë shprehur nga Agjencia për zbatimin e ligjit të gjuhëve në pyetjet e gazetës “Sllobodan Peçat”, ndërsa shtojnë se gjykatat është dashur të ndërtojnë dhe krijojnë kapacitet kadrovike dhe teknike që në 2008 dhe jo tani, në 2019 apo vitin e ardhshëm.
“Me ligjin e vitit 2008 procesi i zbatimit të gjuhës shqipe ka filluar, pra qytetarët kanë të drejtë të parashtrojnë parashtresa, padi, ankesa etj në gjuhën shqipe. Duke pasur parasysh këtë, vlerësojmë se zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në gjykata nënkupton krijimin dhe ndërtimin e kapaciteteve kadrovike dhe teknike, proces në të cilin është dashur të punohet jo tani në 2019 apo 2020, por shumë më herët”, thonë nga Agjencia për zbatimin e Ligjit të gjuhëve. Nëse do të ishte punuar në vazhdimësi në krijimin dhe ndërtimin e kapaciteteve në gjykata gjatë hyrjes në fuqi të ligjit të vitit 2008 dhe ndryshimeve të vitit 2011, thonë më tej nga kjo Agjenci, nuk do të paraqitej nevoja e tanishme dhe mospërgatitja e mjaftueshme për zbatimin e nenit 9 të Ligjit të ri të vitit 2019, i cili e rregullon zbatimin e gjuhës shqipe në gjykata.
Nga kjo agjencia janë shprehur gjithashtu se nuk mbajnë arsyetimet se aktualisht nuk ka infrastrukturë teknike dhe kadrovike për zbatimin e Ligjit të shqipes. “Siç edhe u theksua më sipër, ndërtimi dhe krijimi i kapaciteteve nënkupton infrastrukturën kadrovike dhe teknike. Dhe tani lind pyetja se sa njerëz duhet të punësohen në gjykata për t’u zbatuar Ligji? Jo më shumë sesa është dashur të bëhet deri tani me Ligjin e vjetër, pra Ligjit të vitit 2008 dhe 2011. Nëse do të ishte punuar me përpikëri sipas ligjit, nuk do të kishte aspak ngatërrime financiare”, thonë nga kjo Agjenci. Sipas informacioneve të cilat Agjencia i posedon, ka shembuj të mirë të cilët mund të shërbejnë si motivim për të tjerët, por ka edhe shembuj të këqij të zbatimit të Ligjit të gjuhëve.
“Vlerësimi ynë si Agjenci është se ekziston disbalancë në këtë çështje, në lidhje me atë që një numër shumë i vogël i organeve të sistemit gjyqësor e zbatojnë Ligjin me përpikëri dhe plotësisht. Po ashtu ka edhe gjykata të cilat nuk e kanë zbatuar fare ligjin nga viti 2008 deri në sjelljen e ligjit të ri, çështje për të cilën nuk ka përgjegjësi juridike, por ka përgjegjësi morale para qytetarëve. Kush i ka penguar që procedura të zhvillohet në pajtim me ligjin kur gjykatësi ka qenë shqiptar, palët kanë qenë shqiptarë, avokati ka qenë shqiptar, prokurori është shqiptar dhe pjesëmarrësit e tjerë në procedurë kanë qenë shqiptarë?”, thonë nga Agjencia për zbatimin e Ligjit të gjuhëve.
Agjencia në fjalë ka hedhur poshtë deklaratat se, risia kryesore është se – po qe se cilido nga pjesëmarrësit flet në gjuhën që e flasin 20 për qind e qytetarëve, ka të drejtë të përdorë atë gjuhë në procedurë! “Në këtë pjesë nuk bëhet fjalë për risi, pasi edhe më herët në ligjet e vjetra është paraparë kjo e drejtë, nga neni 5 deri në nenin 19 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve që e Flasin 20 për qind e Qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.