Apeli shfuqizoi aktgjykimin për Sasho Mijalkovin dhe kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi, për rastin Titanik. Përveç atyre dyve në “Titanik 2” për parregullsi zgjedhore, aktgjykimi u shfuqizua edhe për ish-anëtarët e KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, Sasho Sërcev, Vllatko Sajkovski dhe Aneta Stefanovska. Prandaj, gjykimi në Penale duhet të fillojë nga e para. Gjykatësi Safet Kadriu, i cili ka rolin e zëdhënësit, për Alsat tha:
Ka një vendim. Është miratuar, por ende nuk është shkruar. Deri në fund të javës do ta publikojmë edhe një njoftim zyrtar, ku do ti sqarojmë të gjitha faktet- tha gjykatësi Safet Kadriu.
Të pandehurit në Titanik 2 u dënuan më 8 mars të këtij viti. Mijallkov mori tre vjet, Thaçi tre vjet e dy muaj. Ndërsa ish anëtarët e VMRO- DPMNE-së në KSHZ, Sërcev, Sajkovski dhe Stefanovska secili mori nga tre vjet. Bedredin Ibraimi mori dënimin me burg më të lartë – katër vjet e gjashtë muaj. Prokurorja Fatime Fetai në ditën e aktgjykimit kërkoi paraburgim për Mijalkovin dhe Ibrahimin. Propozimi u pranua. Mbetën prapa grilave njëzet ditë. Më 28 mars, Apeli i dërgoi ata në arrest shtëpiak. Më 6 maj, Mijalkov me vendim të Apelit iu shfuqizua edhe arresti shtëpiak, për shkak të skadimit të 60 ditëve deri në formësimin e prerë të vendimit në gjykatën më të lartë. Për Ibrahimin, mbeti masa e arrestit shtëpiak. Sipas aktakuzës së PSP-së në vitin 2013, Sasho Mijalkov nga pozita e drejtorit të DSK-së i bëri thirrje liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi, anëtarit të tij të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që të mbështesë rivotimin në tre vendvotime në Strumicë. Si kompensim, anëtarët e VMRO-DPMNE-së mbështesin rivotimin në komunën e Çairit.