Vazhdimi i seancës gjyqësore për rastin “TNT”, ditën e nesërme, e shtyu avokati Merxhan Dauti, t’I drejtojë edhe një letër Gjykatës Penale. Në apelin e fundit siç e quan ai, kërkon që ky institucion të ndaloj me sjelljen e vendimeve të shpejta kokë më vete. Ai thotë se antarët e Penales, duhet të kenë parasysh respektimin e ligjit.
“Gjatë ditës së nesërme inkrajohuni, mos iu nënshtroni asnjë lloj presioni, kërcënimi, shantazhi, ose premtimi. Sillni vendim ligjor në interes të sundimit të së drejtës. Heshtja është opsioni më i keq. Heshtja e veprimeve të kundërligjshme edhe juve drejtëpërdrejtë u bën bashkëpuntorë në të njejtat. Sillni çfarë do lloj vendimi, por mos heshtni. Jo çdoherë heshtja është ar, në këtë rast, heshtja është miratim i punës së paligjshme”, deklaroi Merxhan Dauti, avokat në rastin “TNT”.
Ndërkaq, Dauti dhe avokati Jovica Strashevski, kanë qenë shumë aktiv në opinion periudhën e fundit, lidhur me gjykatësen porot, të cilës i mbaroi mandati dhjetorin e 2019-tës.
Duke filluar nga dita e nesërme, seancat për “TNT”, do të zhvillohen për çdo ditë edhe pse fillimisht gjykata kishte vendosur që rastin të vazhdoj më 17 janar.
Mandati i gjykatëses porot Liljana Ivanovska – Koçovska, skadoi më 23 dhjetor, ku më pas kryetari i gjykatës Penale, bëri kërkesë për vazhdim të mandatit të saj. Mirëpo nga Këshilli gjyqsor ende nuk kanë sjellë vendim. Ata vetëm kanë bërë të ditur se çështja e mandatit të gjykatëses porot, do të shtrohet në rend dite, më datë 27 janar. Mirëpo deri në atë kohë, seancat do të mbahen me përbërjen e njëjtë.
Në rastin “TNT”, ish kryeministri, tash në arrati Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, ish kryetari i Gazibabës Toni Trajkovski dhe disa të punësuar në komunë, akuzohen për prishjen e objektit “Kosmos”, të biznesmenit Fiat Canovskit.