Me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen Jashari, Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari.Atë ditë, më 22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar.
Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa, ku kishin marrë plagë disa anëtarë të familjes Jashari, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen.
Për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, homazhe bënë kryetari i Skenderaj, Bekimi Jashari, ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci, kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarë të tjerë.
Kreu i Skenderajt, Bekimi Jashari, djali i Hamza Jasharit që atë mëngjes ishte në krye të rezistencës, tha se sulmi ishte një paralajmërim që lufta do të fillojë shpejtë.
Ai tregoi se ngjarja zgjati për 45 minuta ku pati shumë të plagosur edhe nga radhët e forcave serbe, ndërsa më pas këta të fundit ishin detyruar të largohen duke lënë mbrapa armatimin.
“Sot 22 vite pas po përkujtojmë dhe po nderojmë dëshmorët, ata të cilët na mundësuan që ne sot të jemi të lirë. Kanë sulmuar tinëzisht dhe janë plagosur dy vajza ku ka pasur një luftë 45 minutëshe. Fatkeqësisht axha Adem nuk ka qenë aty dhe ata e kanë pasur informatën e saktë dhe për atë kanë sulmuar më qëllimin që t’ia masakrojmë anëtarët e familjes dhe mos të ketë më nder dhe respekt tek shokët dhe ushtarët që ja nuk ka mundur të mbrojë familjen e çfarë do më shumë. Kështu që aty ishte gjyshi, ishte babai Hamza dhe meshkujt e tjerë që iu kundërpërgjigjen ashtu sikurse e merituan që lanë të plagosur, lanë armatimin dhe ikën mbrapsht dhe pas gjysmë orë erdhi edhe Ademi me shokë”, deklaroi Jashari, raporton KP.
Ndërsa, kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka thënë se familja Jasahri gëzon nderimin e përjetshëm për sakrificën sublime. Ai tha se ndjehen shumë krenarë për veprën familjes së kryekomandantit Adem Jashari.
“Sot është 22 janari 2020 ne sot bëjmë homazhe para varrezave të dëshmorëve, para varrezave të Jasharajve ku më 22 janar të vitit 1998 ka qenë sulmi…, ka qenë muaji ramazan ku pas syfyrit është sulmuar familja Jashari dhe kryekomandanti Adem Jashari ku në këtë familje atë ditë janë plagosur dy vajzat e tyre kështu që ne sot e kemi për obligim dhe e ndjejmë vetën shumë krenarë për veprën e tyre dhe krismat e asaj kohe kanë qenë krismat e lirisë. Kështu që ne themi lavdi për jetë e mot për këta dëshmorë të kombit për punën e tyre dhe veprat e tyre”, deklaroi Gucati.
Pjesë e ceremonisë së homazheve ishte edhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tha se bashkërisht po i kujtojmë këto ngjarje, siç është kjo e 22 janarit, para 22 vitesh.