Kuvendi i Shqipërisë në seancën e sotshme të pasdites e ratifikoi Marrëveshjen për hapjen e qendrës kulturore-informative maqedonase në Tiranë.
Në seancë, për rëndësinë e qendrave të cilat janë të hapura në Tiranë dhe në Shkup, foli Vasil Sterjovski, deputet i partisë Aleanca Maqedonase për Integrime Evropiane, i cili në emër të partisë dhe nga të gjithë maqedonasit që jetojnë në Shqipëri shfaqi mbështetje të plotë për hapjen e qendrave të tilla.
“Hapja e këtyre qendrave kulturore-informative në Tiranë dhe në Shkup do të intensifikojë marrëdhëniet kulturore midis dy vendeve, do të përforcojë zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të zhvillojë dhe përforcojë bashkëpunimin ndërkulturor dhe do të krijojë kushte për artistë nga të dy vendet për të paraqitur punën e tyre në dy shtetet”, tha Sterjovski.
Ai shtoi se këto qendra kulturore-informative do të përhapin dhe prezantojnë kulturën shqiptare në Maqedoni dhe kulturën maqedonase në Shqipëri, duke organizuar ngjarje të ndryshme, ekspozita, ligjërata letrare dhe shkencore, shfaqje filmike, promovim në media dhe ofrimin e shërbimeve informative për qytetarët e interesuar nga të dy palët.
“Interesimi i vendit tonë është që t’i intensifikojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut në mënyrë reciproke në politika, plan ekonomik dhe kulturor, si dhe në fushën e mbrojtjes së komunitetit shqiptar në Maqedoni dhe komunitetit maqedonas në Shqipëri. Maqedonasit në Shqipëri dhe shqiptarët në Maqedoni janë urë bashkëpunimi dhe vëllazërie në marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase, bazuar në parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare të bazuara në sovranitet të barabartë”, tha Sterjovski.
Ai theksoi se të dy vendet po ecin përgjatë rrugës evropiane së bashku dhe se ka shumë shpresë se negociatat do të fillojnë në mars të këtij viti për anëtarësimin në BE.