Incidenti i ndodhur gjatë takimit të Komisionerit Europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi me kryeministren serbe Ana Brnabic dhe ministrat e saj, po përshkruhet si një “skandal diplomatik”.
Duke cituar mediat serbe, Telegrafi, thotë se përpara ndërhyrjes së ministrit të jashtëm serb, Ivica Dacic, biseda është zhvilluar normalisht. Por në një moment, Daçic ka marrë fjalën dhe i është drejtuar në mënyrë të ashpër Varhelyit.
“Ai u tregua shumë i pasjellshëm. Dacic i tha komisionerit se po hesht teksa dikush rrëmben manastiret serbe në Kosovë dhe hesht për taksën e vendosur nga Prishtina mbi mallrat serbe”, ka thënë për gazetën Blic një burim që ishte pjesë e takimit.
Ai shtoi se kryeministrja, ministrja e BE-së, Jadranka Joksimovic dhe ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq kishin mbetur të habitur. Pas kësaj Varhelyi ka ndezur mikrofonin e i është drejtuar Dacic.
“Unë jam i vetmi komisioner evropian që reagova ndaj taksës, e dënova atë që po ndodh në Mal të Zi, Serbia është vendi i parë që erdha pas prezantimit të metodologjisë së re dhe më në fund, erdha këtu për t’ju ndihmuar”, ka thënë komisioneri, ka mbyllur mikrofonin e është larguar nga salla. Dhe lidhur me këtë incident, Blic ka kontaktuar protagonistin kryesor.
Dhe Dacic është përgjigjur se e sulmoi BE-në “për mosrespektim të Marrëveshjes së Brukselit, për futjen e Kosovës në Kapitullin 35, e për heshtjen mbi ngjarjet në Mal të Zi.