Christian Eriksen dhe Zlatan Ibrahimovic, dy blerjet e bujshme të klubeve të Milanos gjatë afatit kalimtar të janarit, pritet të luajnë titullarë sonte në derbin mes Interit dhe Milanit.
Zikaltrit kanë mundësi të madhe ta zënë liderin Juventus në krye të renditjes tabelore në Serie A, pasi bardhezinjtë u mundën 2:1 nga Hellas Verona të shtunën në mbrëmje.
Antonio Conte nuk do të mundë të llogarisë në Lautaro Martinez dhe Alessandro Bastoni, të cilët janë të pezulluar, ndërsa mesfushorët Stefano Sensi dhe Roberto Gagliardini nuk janë 100 për qind të gatshëm.
Portieri dhe kapiteni Samir Handanovic ka shumë pak mundësi të luajë, sepse nuk stërviti me topin as të shtunën për shkak të gishtit të thyer.
Ardhja e re, mesfushori Christian Eriksen pritet të luajë titullar dhe prapa Romelu Lukakut.
Ndërkohë, te Milani rikthehen Zlatan Ibrahimovic dhe Simon Kjaer, të cilët munguan në barazimin 1:1 kundër Hellas Verona për shkak të gripit.
Sulmuesi 38-vjeçar pritet të luajë titullar në derbi, me Piolin që po mendon ta vendosë Hakan Calhanoglun prapa tij.
Ndeshja do të zhvillohet në Giuseppe Meazza në orën 20:45.
Formacionet e mundshme:
Inter (3-5-1-1): Padelli; D’Ambrosio, De Vrij, Skriniar; Candreva, Vecino, Brozovic, Barella, Young; Eriksen; Lukaku
Milan (4-4-1-1): G Donnarumma; Conti, Musacchio, Romagnoli, Theo Hernandez; Castillejo, Kessie, Bennacer, Bonaventura; Calhanoglu; Ibrahimovic