BE-ja paralajmëron Britaninë për bisedime të ashpra tregtare

Franca ka paralajmëruar Britaninë që të përgatitet për betejë në bisedimet tregtare me BE-në, pas Brexitit.

Marketing

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian ka parashikuar se të dyja palët “do të shqyhen me njëra-tjetrën”, kur të nisin negociatat.

“Mendoj se në çështje tregtare dhe në mekanizmin për marrëdhënie në të ardhmen, ne do ta shqyejmë njëra-tjetrën. Mirëpo kjo është pjesë e negociatave, secili duhet të mbrojë interesat e veta”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se do të jetë e vështirë për Britaninë e Madhe të arrijë synimin për arritje të marrëveshjes për tregti të lirë deri në fund të vitit.

Qeveria britanike ka thënë se dëshiron të arrijë marrëveshje “për bashkëpunim shoqëror në mes të palëve të barabarta”.

David Frost, shefi negociator për Brexit, i kryeministrit britanik, Boris Johnson pritet të prezantojë më shumë detaje në një fjalim që do ta mbajë në Bruksel.

Mbretëria e Bashkuar është larguar nga BE-ja dy javë më parë, mirëpo ende kryen tregti sikurse vendet tjera të bllokut evropian, derisa të përfundojë periudha tranzitore më 31 dhjetor.

Bisedimet për lidhjet në të ardhmen pritet të nisin muajin e ardhshëm, sapo të 27 vendet anëtare të pajtohen për mandatin negociues të bllokut.

Ministri francez, Le Drian është aleati më i ngushtë i presidentit francez, Emmanuel Macron që paralajmëron se negociatat Britani-BE do të jenë të vështira.