Nëse koronavirusi do të vazhdojë të përhapet duke u shndërruar në një pandemi globale, ekonomia botërore mund të zhytet në recesion.
Paralajmërimi ka ardhur nga gjiganti ndërkombëtar i financave Moodys. Sipas Moodys, epidemia ka qenë një goditje e fortë për ekonominë kineze dhe tashmë rrezikon të gjunjëzoje të gjithë ekonominë botërore.
Sipas vlerësimit, rreziku kryesor është shndërrimi i virusit në një pandemi globale, ccka tashmë ka një probabilitet të lartë duke parë përhapjen e tij në disa vende njëherësh përfshirë Italinë, Korenë dhe Iranin. Dhe nëse virusi do të shtrihet edhe në shtetet e Bashkuara, Moodys thotë se recesioni global është një ngjarje me probabilitet të konsiderueshëm.
Ndërkohe tregjet financiare të botës shënuan humbje të mëdha për të tretën ditë radhazi duke djegur miliarda dollarë pasuri. Më të goditura ishin aksionet e kompanive ajrore, atyre të lidhura me turizmin si dhe aksionet e kompanive industriale të cilat kanë lidhje të forta me Kinën. Paralelisht çmimi i naftës vazhdon të bjerë duke sinjalizuar uljen e pulsit të ekonomisë botërore
Në Evropë, bursat janë tronditur pas shpërthimit të rasteve në Itali. Ekonomia italiane ishte sakaq në pozicion të keq edhe përpara shpërthimit të epidemisë së koronavirusit. Tashmë ekspertët vlerësojnë se Italia mund t’i jetë drejtuar recesionit dhe gjasat janë që ekonomia të tkurrët deri në 1 përqind.
Megjithatë Fondi Monetar ka qenë më i përmbajtur në vlerësimin e efekteve që mund të ketë koronavirusi duke ju përmbvajtur skenarit se ekonomia botërore do të rritet me 3.3 për qind gjatë këtij viti.