Atentat shqiptarit në Athinë, breshëri plumbash pas krahëve

Një shtetas shqiptar u plagos gjatë një atentati të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në vendin e quajtur Faliro në Athinë.

Marketing

Sipas policisë greke, viktima po ecte në shëtitoren e vijës bregdetare të kryeqytetit helen, në kohën që është qëlluar mbas krahëve, prej dy shtetasve të tjerë, për të cilët dëshmitarë okularë thanë se flisnin shqip, me një breshëri plumbash, tre prej të cilëve e kanë goditur në shpatull dhe këmbë.

Ekzekutorët i janë afruar për t’i dhënë goditjen fatal, por për fatin e tij të mirë, ka qenë një efektiv policie që po dilte nga lokali së bashku me familjen e tij, që ka ndërhyrë duke nxjerrë armën e tij të shërbimit, çka i ka trembur atentatorët.

Në vazhdim ata janë larguar me shpejtësi në rrugicat e lagjes, ndërsa viktima është dërguar me shpejtësi në spitalin Asklipio Vulas, ku edhe po mjekohet, për fat jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka nisur një operacion për gjetjen e autorëve, ndërsa dritë mbi shkaqet e atentatit, pritet të hedhë deponimi i viktimës, emri dhe e kaluara e të cilit, për momentin nuk publikohen.

Dyshimet e para janë për larje hesapesh, por pa përjashtuar edhe ndonjë sherr banal mes autorëve dhe viktimës.

Hetuesit kanë shoqëruar në polici edhe efektivin që i shpëtoi jetën viktimës, i cili ishte i vetmi që pa autorët dhe komunikoi me ta.