Edhe pse gjendje e jashtëzakonshme, përpara fillimit të orës policore rrugët e kryeqytetit ishin përplot me njerëz. Disa me maska e doreza e të tjerët pa kurrfarë pajisjesh mbrojtëse frekuentonin nëpër hapësirat e Bit Pazarit, me arsyetimin se e kishin të domosdoshme të dilnin për t’i kryer nevojat e përditshme. Pavarësisht faktit se virusi Korona është më i rrezikshëm për të moshuarit, shumë të tillë nuk e respektuan rekomandimin kryesor për mbrojtje duke qëndruar në shtëpi.
“Nuk di për besë asgjë. Nuk e di unë a ka virus apo nuk ka. Nuk di asnjë.
Pse keni dalë? Pse nuk qëndroni në shtëpi?
Kam dalë të marr diçka. Qëndroj në shtëpi, por patjetër të marrë diçka. Çfarë të bëj?!”.
“Në punë jam. Kam dal të blejë në Bit Pazar dhe do të shkoj në shtëpi.
A dilni çdo ditë ose më rrallë?
Në punë jam, patjetër të dal, në byrektore”.
Madje disa të moshuar kishin zgjedhur transportin publik për t’u kthyer nëpër shtëpitë e tyre, por derisa po prisnin në stacion të autobusëve e shkelën edhe një rekomandim tjetër, atë të mbajtjes së distancës mes vete.
A e dini se është më mirë të qëndroni në shtëpi gjatë kësaj kohe?
“ Si jo, kush do të më sjellë bukë? E di, bëra pazar dhe tani po kthehem në shtëpi.
Pse nuk mbani distancë?
Si nuk mbajmë?! Ja ka gjysmë metër. Sa duhet?! Aq është ulësja, po të ishte 6 metër, ndryshe do të bënim.
Me autobus do të ktheheni?
Po, me autobus, drejtë në shtëpi do të shkoj.
A keni frikë se mund të infektoheni?
Jo, por i respektojmë të gjitha masat. Nuk do të përqafohem me njerëz këtu, sepse ashtu do të infektohesha. Por kështu me maskë e doreza, si do të infektohem?!
Radhë qytetarësh kamera e televizionit Alsat filmoi edhe përpara marketeve, farmacive, postës dhe bankave.
“Pa nevojë nuk dua të hyjë. Ja erdha të paguaj faturat.
A keni frikë se mund të infektoheni nga Koronavirusi?
Si të mos kem, të gjithë kanë frikë. Nuk është diçka që mund ta shohësh, është gjë e fshehur, prandaj.”
“Llogaritë t’i paguaj.
A jeni duke dalur shpesh?
Jo, absolutisht brenda qëndroj. Jam profesor universitar, ligjëroj online, jam kryesisht në shtëpi. Dje kishim një telefonatë që duhet të paguajmë llogarinë e telefonit dhe u detyrova sot të dal. Patjetër duhet respektuar rekomandimet, ato na bëjnë që ta mbrojmë veten, ta mbrojmë tjetrin, të kontribuojmë të gjithë për një situatë pak më të sigurt. E dimë se na kanoset rreziku dhe se vetëm izolimi është ajo që mund të na shpëtojë nga kjo e keqe”.
Ndërkohë edhe përkundër rekomandimeve për mos-pasjen e aktiviteteve fizike në ambient të hapur kamera jonë e takoi të ri i cili në këtë ditë me shi kishte vendosur të bënte vrap.
Shkoj të bëj trajnim, të vrapoj në shtigjet e vrapimit. Nuk ka epidemi këtu, vetëm gënjejnë këto që flasin.
Nuk e besoni?
Jo, nuk besoj asgjë nga kjo që flitet.
Autoritetet kompetente vazhdimisht po përsërisin apelet që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin pa nevojë, t’i evitojnë tubimet me më shumë njerëz qofshin ato në hapësira të mbyllura apo të hapura si dhe të mbajnë higjienën personale. Ndërsa theksojnë se vetëdija e qytetarëve është masa kryesore për parandalimin e përhapjes së pandemisë, COVID 19.ALSAT-M