Saraj, banorët respektojnë rekomandimet e qeverisë

Në komunën e Sarajit, banorët e kësaj komune respektojnë masat e qeverisë, ndërsa vërehet edhe lëvizja e dobët e automjeteve.

Marketing

Banorët e kësaj zone thonë se ata dalin për të blerë ushqim për në shtëpi, por ka edhe të tjerë që dalin të punojnë për të siguruar kafshatën e gojës.

Ata thonë se qeveria, përveç masave që i ka ndërmarrë për mbrojtje, qeveria duhet të mendojë edhe për banorët e këtij vendi, sepse ka të tillë të cilët nuk kanë se çfarë të hanë.

“Si çdoherë edhe sot kam dalë në punë, sepse duhet të punojmë, pa punë nuk mund të rrihet, duhet të ushqehemi. Lëvizja e qytetarëve është zero, shumë pak lëvizin, vetëm kush ka punë apo ndonjë hall. Këtu tek ne shumë mirë e respektojnë ligjin, por shteti duhet t’u ndihmojë qytetarëve, sepse ka qytetarë të cilët vdesin edhe pa bukë, shteti nuk e ka atë hall se ne si i kemi punët. Shteti duhet të interesohet për qytetarët. Deri sa të vijë koha, unë 3:30 iki prej këtu, sepse për 10 min. jam në shtëpi, para kohe unë shkoj.”,- deklaroi një qytetar.

“Për harxh, për çfarë ka nevojë në shtëpi dhe pastaj kthehemi në shtëpi.”,- u shpreh një qytetar.

“Kemi dalë të marrim harxh, sepse kemi qenë të mbyllur prej orës 4 pasdite deri sot në orën 6. Në 3:30 ose në 4, pas orës 4, ne nuk dalim, edhe këtu respektohet ligji, pas orës 4 nuk ka asnjë.”,- theksoi një qytetar.

“Kam dalë të marr ushqim për në shtëpi. Nuk kemi çfarë të bëjmë, tani jemi në burg shtëpiak, nuk vjen askush me na pyet se si i kemi hallet, a kemi apo nuk kemi. Ka njerëz të varfër, nuk kanë çfarë të hanë e çfarë të pinë. Në shtëpi jemi dy persona të sëmurë dhe askush nuk vjen për të pyetur. Policia kalon edhe nëpër fshatra, unë jam nga fshati Gërçec, vjen policia andej, ne e shohim… Do të kthehem në shtëpi 10 min. para orës 4.”,- tha një qytetare.

Në vendin tonë numri i të infektuarve nga Covid-19 vjen duke u shtuar, prandaj për mosparaqitjen e rasteve të reja duhet respektuar masat e qeverisë, sepse qëndrimi në shtëpi është ilaçi më i mire për pandemi.