NATO në gatishmëri për luftë kundër Covid-19, ministrat e mbrojtjes në videolidhje për të diksutuar hapat e mëtejshëm

Çfarë është bërë deri më tani dhe cilët do të jenë hapat e mëtejshëm në luftën kundër COVID-19, është diskutimi që po bëhet mes Ministrave të Mbrojtjes në aleatëve në NATO.

Marketing

Mbledhja mbahet përmes video-lidhjeje me nivel të lartë të sigurisë, tregoi Sekretari Gjeneral i NATO-s Jens Stoltenberg duke treguar se Aleanca i është përgjigjur gjendjes me virusin që nga fillimi i krizës duke zbatuar masa parandaluese dhe duke ndihmuar shtetet për t’u përballur me virusin.

“Aleatët e NATO-s po bashkëpunojnë për të transportuar mjete nga mbarë globi. Qindra ton pajisje mjekësore janë dhuruar dhe shpërndarë. Aleatët ndajnë ekspertizë mjekësore dhe kapacitete spitalore”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar Gjeneral i NATO-s.

I pari i NATO-s mes tjerash përmendi edhe mbështetjen financiare dhe mjekësore që anëtarja më e re, Maqedonia e Veriut, ka marrë deri më tani nga Çekia, Hungaria, Holanda, Norvegjia, Sllovenia, Turqia dhe SHBA-ja.

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut: -Në diskutimin e saj Shekerinska do të adresojë gjendjen me koronavirusin në Maqedoninë e Veriut dhe masat që ka ndërmarrë qeveria për përhapjen e virusit. Gjithashtu ministrja do t’i falënderohet anëtareve të NATO-s që kanë ndihmuar dhe do ofrojë bashkëpunim më të afërt të vendit tonë me KFOR-in në planin për zvogëlimin e pasojave nga përhapja e sëmundjes.

Mbledhjes së sotme të NATO-s i bashkohet edhe Finlanda dhe Suedia që nuk janë vende anëtare, por gjithashtu edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian Zhozef Borel.

Krahas luftës ndaj COVID-19, aleatët do të flasin edhe për dezinformatat dhe lajmet e rrejshme të cilat, siç theksoi Stoltenberg, me narrativ fals dhe të dëmshëm po përpiqen të shpërndahen nga persona të ndryshëm zyrtarë dhe jozyrtarë.

Për këtë gjë dje foli edhe ambasadorja e SHBA-ve në NATO, Kej Bejli Hatçison, e cila tregoi se Aleanca por formon ekip për luftë ndaj kërcënimeve hibride që i kërcënohen Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, në kohë kur nga Rusia dhe Kina vijnë lajme të rrejshme në lidhje me koronavirusin.