Spasovski tregon se çfarë lloji dhe ku duhet t’i mbajnë maskat qytetarët prej nesër

Maskë respiratore, maskë kirurgjikale për përdorim afatshkurtër, maskë tekstile për përdorim afatgjatë, mindil apo shall pambuku dhe mbulesa të tjera për hundë dhe gojë, këto janë pajisjet mbrojtëse të cilat do të duhet t’i përdorin nga nesër qytetarët me masat e reja qeveritare, sqaroi kryeministri teknik, Oliver Spasovski.

Marketing

Spasovski gjithashtu ka sqaruar se edhe ku duhet të mbahen maskat.

“Maskat dhe mindilat mund të përdoren gjatë lëvizjes në hapësirë publike, hapësirë publike të mbyllur dhe në transportin publik. Pajisjet mbrojtëse duhet të mbahen në të gjitha vendet publike të mbyllura ku ka më shumë njerëz, si market, dyqane, banka, posta, institucione shëndetësore si dhe gjatë shfrytëzimit të transportit publik. Në hapësira publike, pajisje mbrojtëse do të mbahen në tregje dhe në mjedise të hapura ku nuk mund ta mbani distancën fizike prej 2 metrave”, tha Spasovski.

Pajisja mbrojtëse nuk mbahet nëse qëndroni në oborr, në ballkon, nëse jeni me biçikletë, nëse bëni sport në mjedis të hapur dhe nëse udhëtoni me veturë me persona me të cilët jetoni.

“Të jemi të vëmendshëm, të përgjegjshëm dhe t’i respektojmë masat të cilat mbrojnë nga virusi korona”, tha Spasovski.

Ai vlerësoi gjithashtu se lehtësimi i masave restriktive nuk do të thotë se qytetarët duhet të sillen në mënyrë të papërgjegjshme.

“Lehtësimi i masave restriktive nuk do të thotë lehtësim dhe sjellje të papërgjegjshme as ndaj vetes, as ndaj familjes, as ndaj qytetarëve të tjerë. Përkundrazi, ulja e masave restriktive do të thotë se rritet përgjegjësia personale, për mbrojtje personale dhe të personave të tjerë”, tha Spasovski.

Ndërkaq shtoi, se ndalesa për tubim të më shumë njerëzve do të vazhdojë edhe më tej. Kjo nënkupton se masa që mos të qëndrojnë dy persona bashkë, do të jetë në fuqi.