Arbër Ademi: Pas 1 majit do të vendoset për vitin shkollor

Lamtumirë shkollës, mësimdhënësve dhe shokëve, këtë vit duket se do ti jepet përmes platformave të ndryshme që tashmë po mbahet mësimi online. Ministri i Arsimit, Arbër Ademi tha për Alsat se deri në këto momente nuk është diskutuar për kthimin e mundshëm të procesit arsimor në bankat shkollore. Ademi shtoi se për këtë varet nga mendimi i ekspertëve të fushave përkatëse.

Marketing

Prej tash nuk mund të them se do të mund të kthehemi brenda këtij viti shkollor në bankat shkollore për arsye se varet nga mendimi i ekspertëve, veçanërisht epidemiologëve dhe rreziqet eventuale me të cilat mund të përballemi ne si shoqëri, në veçanti fëmijët tanë. Prandaj aq më tepër kur e kemi parasysh se edhe pak kanë mbetur deri në përfundim të vitit shkollor, që do të thotë një vendim i tillë do të bazohet në mendimin e ekspertëve të fushës, epidemiologëve dhe i njëjti do të shqyrtohet në qeveri por do të merren parasysh të gjitha rrethanat- deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

Kur bëhet fjalë për vlerësimin e nxënësve, Ademi tha se çdo rezultat i treguar nga nxënësit në këtë periudhë do të merret parasysh. Ndërsa mësimdhënësit janë të obliguar që të vazhdojnë me vlerësimin apo notimin e nxënësve. Gjithashtu, ministri Ademi njoftoi se brenda kësaj jave do të ketë edhe propozim final drejtuar qeverisë lidhur me maturën shtetërore.

Profesori Xheladin Murati vlerëson se pas 10 majit, rihapja e shkollave është e paarsyeshme. Sipas Muratit, në rast se shkollat do të hapeshin duhet te zbatuar disa masa për tu përmbyllur me sukses viti shkollor.

Së pari, duhet të bëhet një organizim tjetër i vitit shkollor, duhet të bëhet reduktim i orëve mësimore, reduktim i lëndëve mësimore. Ora mësimore të shkurtohet, 35 minuta të zgjasë. Disa lëndë mos të mësohen si aktivitete të lira, mësimi shtesë, mësimi vazhdues. Lëndët e shkathtësisë, edukim fizik, edukim muzikor, edukim figurativ të zvogëlohen nga një orë në javë dhe të shtohet numri i lëndëve nga gjuha, matematika, shkencat, fizika, nga lëndët tjera që janë themelore për ti përballuar nxënësit vështirësitë që paraqiten në realizimin e planit dhe programit mësimor, më afat të shkurtuar- pohoi Xheladin Murati, profesor.

Profesori Murati, apeloi mësimdhënësit të kenë kujdes gjatë vlerësimit të nxënësve, sepse sipas tij nuk është e arsyeshme që notat të përfundohen në bazë të suksesit në fillimin e vitit shkollor. Gjithashtu, profesori Murati kujtoi se ky vit shkollor nuk mund të thuhet se është i humbur por, sipas tij, të krijohet hapësirë që ai të jetë i suksesshëm