Na iku “Lulja e Gostivarit” Shahindere Bërlajolli – Stafaj
“Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules”, “Hajde dalim moj goce”, “O bylbyl me pika-pika”, e veçanërisht “Një lule në Gostivar” ishin këngët që i këndonte shpesh dhe pothuajse sa herë që takoheshim.
Bashkë me të flisnim me shumë dashuri për Vokshin ku ajo kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë, për vitet e arta të festivalit “Akordet e Kosovës” për turnetë e koncerteve në kohëra që ajo i quante të arta për muzikën shqiptare dhe posaqërisht për krijimet dhe kujtimet me bashkëshortin, muzicientin dhe autorin e shumë këngëve z. Enver Stafa. “Unë kur dilja në skenë nuk përdorja as grim po as nuk rregullohesha. Për 5 minuta isha gati” kujtonte shpesh herë dhe më tej shtonte “Lulja e Besës dhe Enverit, inspirimi i tij kam qenë unë”.
Si duket kjo lidhje kaq origjinale me këngën, bashkëshortin, vendin e lindjes Pejën, familjen dhe jetën e bënin kaq unike dhe shumë spontane në çdo paraqitje të saj. Në mes të gjitha dashurive ajo vendosi ti dedikohet Gostivarit, qytetit në të cilin kjo zonjë solli imazhin e gruas së hapur, të mençur, pakompekse, një zonje artiste që ndikoi edhe në civilizimin e shumë vajzave të gjeneratës së re. Ardhja e saj në shoqërinë “Besa” në një kohë kur emri i saj ishte i popullarizuar i dha kësaj shoqërie shkëlqim edhe më të madh andaj respekti për familjen Stafaj e posaqërisht për kolegun e skenës Shabanin dhe qytetarët e Gostivarit shprehej kurdoherë, ndërkaq lumturia që djemtë Arditi, Astriti dhe Albani ishin të suksesshëm e bënte të kompletuar.
Jo rrallë herë nuk pajtohej me anashkalimin apo harrimin e vlerave shqiptare dhe këtë e thoshte hapur dhe troç por duke e shëndërruar në humor dhe bisedë pozitive nga e cila duhej nxjerrë mesime. Momentin më të lumtur e konsideronte emërimin e shkollës së muzikës “Enver Stafaj” në Gostivar.
Nuk pretendonte të lavdërohej, ishte modeste dhe nuk kërkonte nga të tjerët privilegje. Nuk fliste asnjëherë për vdekjen ose amanetet, madje as në këto dy vite të fundit që ishte aq e rënduar me shëndet. E donte jetën, njerëzit dhe dinte që çdo moment ta kthente në buzëqeshje e optimizëm duke dhënë aq shumë dashuri.
Sot iku…..për të na lënë kujtime të pashlyeshme e mbi të gjitha këngë që do të vazhdojnë të dëgjohen e këndohen!
Duke ndjerë personalisht thellë këtë humbje, në emër të IN Ansambli i këngëve dhe valleve shqipe në R.M.V dhe të gjithë trupës artistike, shpreh ngushëllime për familjen Stafaj, Gostivarin, Pejën, Prishtinën dhe çdo shqiptar që ka adhuruar këtë zë kaq origjinal të këngës popullore dhe këtë artiste kaq unike.
Ndonëse koha e rrethanat e krijuara pamundësuan një varrim dhe ceremoni me nderimet më të larta mbarëkombëtare, jam i bindur se koha dhe brezat që vinë do të mund të flasin dhe do të shkruajnë akoma më tepër për z.Shahindere Bërlajolli- Stafaj sesa ne sot!
Me dhembje të thellë
Shkodran Tolaj – drejtor i IN Ansambli i këngëve dhe valleve shqipe në R.M.V