Sela letër Pendarovskit: Qytetarët kurrë nuk do të heqin dorë nga BE

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i ka shkruar presidentit, Stevo Pendarovski, pas deklaratës së këtij të fundit se nuk na duhet BE nëse duhet të heqim dorë nga gjuha dhe identiteti maqedonas.

Marketing

“Si ndjehen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ku vazhdimisht u cenohet identiteti i tyre kombëtar?”,- ka pyetur Sela në letër.

“Assesi nuk mund të pajtohem me ju kur thoni se Maqedonia e Veriut do të duhej të hiqte dorë nga integrimi në Bashkimin Evropian (BE) nëse Republika e Bullgarisë kushtëzon hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, me kërkesën që gjuha maqedonase t’i referohet dokumenteve zyrtare të BE-së, si “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Jo, zoti President, qytetarët e këtij vendi kurrë nuk do të pranojnë të heqin dorë nga BE-ja. Unë e kuptoj mirëfilli reagimin tuaj emocional në lidhje me kushtëzimin bullgar rreth gjuhës maqedonase, megjithatë, atë që nuk po mund të kuptoj është se si edhe pas këtij kushtëzimi bullgar, ju personalisht dhe establishmenti politik maqedonas në përgjithësi, nuk keni nisur qoftë edhe reflektimin më të vogël rreth asaj se si ndjehen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ku vazhdimisht u cenohet identiteti i tyre kombëtar.”, shkruan Sela.

Raste të tilla ka edhe në shekullin 21. Dhe për këtë nuk keni nevojë fare të shikoni drejt Sofjes, mjafton të shihni oborrin, tuaj shkruan më tej Sela.

“Maqedonia e Veriut, President i së cilës jeni ju vetë, ua konteston po këtë të drejtë shqiptarëve, bile në mënyrë edhe më eklatante, duke e reduktuar gjuhën shqipe në një “gjuhë që e flasin mbi 20% e qytetarëve dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja. Duke u nisur nga parimi “mos ia bën asnjëherë tjetrit atë që nuk dëshiron dikush të ta bëjë ty”, shpresoj se bashkë me ju dhe politikanë tjerë mendjehapur maqedonas, të bëhemi bashkë në jetësimin e idealit tonë evropian dhe të ndryshojmë këtë kushtetutë retrograde, që më në fund gjuhës shqipe t’i themi gjuhë shqipe, duke braktisur kështu logjikët e një periudhe të errët të historisë”,- shkruan në letrën e kreut të ASh-së drejtuar presidentit, Pendarovski.