Zëdhënësi i Kremlinit infektohet me koronavirus

Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin ka thënë se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus dhe tani është në spital, duke u trajtuar për sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus.

Marketing

“Po, jam sëmurë. Jam duke u trajtuar”, është cituar të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit më 12 maj.

Peskov është i fundit zyrtar i lartë që infektohet me këtë virus në Rusi, i cili ka prekur edhe kryeministrin rus, Mikhail Mishustin, ministren e Kulturës, Olga Lyubimova dhe ministrin e Infrastrukturës, Vladimir Yakushev.

Ky njoftim ka ardhur një ditë pasi Putin ka thënë se Rusia është treguar e suksesshme në uljen e shkallës së infektimit me koronavirus, andaj ka bërë të ditura disa lehtësime të kufizimeve, të cilat janë marrë me qëllim të luftimit të kësaj sëmundjeje.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkis, Rusia të martën është kthyer në shtetin e dytë të prekur më së keqi në botë me Covid-19, pasi ka regjistruar mbi 230,000 persona të sëmurë.