Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 15 maj shpalli Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që ato të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare.
Në këtë ditë, në gjithë botën organizohen aktivitete në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, që kanë për qëllim të tregojnë zona të ndryshme të rëndësishme për familjen dhe proceset shoqërore, ekonomike dhe demografike që prekin familjet por që këtë vit është ndryshe për shkak të pandemisë COVID-19.
Qëllimi i shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Familjes është që të promovojë familjen dhe vlerat e familjes, nxitjen e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë dhe për të ndihmuar familjet për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin.
Ndërkohë edhe presidenti Ilir Meta me këtë rast ka ndarë një mesazh në facebook:
“Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde!” Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Familjes, me këtë thënie të mençur dhe aktuale në çdo kohë të Shenjtores sonë Nënë Tereza!”.