Me vendim të ri qeveritar, sot hapen xhamitë dhe kishat në tërë vendin. Mirëpo, besimtarët duhet të ndjekin një protokoll sigurie që ndihmon në parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19.
Besimtarët e krishterë kanë mundësi që të Dielën e Rrëshajëve të mund të kremtojnë me mesha nëpër kishat anë kënd Kosovës.
Ndërsa, besimtarët myslimanë do të mund që pesë kohët e namazit dhe të xhumasë t’i falin nëpër xhami.
Bashkësia Islame e Kosovës rekomandon besimtarët që gjatë prezencës në xhami të vazhdojnë t’i përmbaheni masave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për parandalim të përhapjes së virusit, i cili edhe më tej vazhdon të jetë prezent në Kosovë.
Masat që duhet të vazhdojnë të respektohen për prezencë në xhami, janë:
– Të merret abdest në shtëpi
– Të vendosen maskat
– Të ketë dezinfektues duarsh në xhami
– Të mbahet distanca sociale
– Të mos ketë tubime tjera përveç namazit, pra jo tubime me vijues të mësim besimit, jo mukabele, jo ligjërata me përjashtim të hutbes së xhumasë.
– Ligjërata e xhumasë mos të zgjatet më tepër se 10 minuta
– Të mos shfrytëzohen abdes-hanet dhe tualetet e përbashkëta.
BIK lut të gjithë besimtarët që do t’i frekuentojnë xhamitë të jenë të kujdesshëm dhe t’u përmbahen masave të rekomanduara nga Ministria e shëndetësisë.