Reagimi në emër të BE-së për zgjedhjet e 15 korrikut erdhi këtë pasdite nga ana e komisarit për zgjerim i BE-së Oliver Varheji dhe nga shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrell.
Bashkimi Evropian i uron qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre të votimit në zgjedhje, përkundër sfidave shëndetësore të pandemisë Kovid-19.
Reagimi i BE-së bazohet në konstatimet e OSBE/ODIHR-së të publikuara dje dhe përkujton se “stabiliteti ligjor” është “i minuar” për shkak të “revizioneve thelbësore në kornizën ligjore dhe dekretet e njëpasnjëshme të Qeverisë”.
Bashkimi Evropian pret që Maqedonia e Veriut dhe institucionet e saj të përmbushin të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR në zgjedhjet e ardhshme.
“Presim që të punojmë me një parlament të fortë dhe një koalicion të qëndrueshëm qeveritar që duhet të përmbushë qëllimet strategjike të vendit të integrimit në BE dhe të përmbushë pritjet e qytetarëve”, thanë Varheji dhe Borrell në një deklaratë të përbashkët.
Maqedonia e Veriut deri në fund të këtij viti, duhet ta mbajë konferencën e parë ndërqeveritare, në të cilën do të hapen kapitujt e parë në negociatat për anëtarësim në Union, siç ishte planifikuar nga presidenca gjermane.
Prandaj, BE-ja pret që autoritetet maqedonase të vazhdojnë me reformat në lidhje me integrimin në BE, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të vazhdojnë të forcojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, porosisin nga BE-ja.